E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: “Maxhoritari i pastër dhe Kuvendi me 100 deputetë”

Lidhja Demokristiane ka dalë kundër propozimeve të bëra për aplikimin e sistemit proporcional në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Kryetari i LDK-së, Nikoll Lesi, ka propozuar sistemin e pastër maxhoritar si dhe një sërë propozimesh të tjera, të cilat, sipas tij, do të kontribuojnë në realizimin e reformës zgjedhore. “Lidhja Demokristiane propozon një sistem të pastër maxhoritar me një raund, me 100 zona zgjedhore dhe 100 deputetë", - tha Lesi në një konferencë për shtyp, ku paraqiti propozimet e LDK-së për reformën zgjedhore. Sipas tij, aplikimi i sistemit të pastër maxhoritar do të ishte zgjidhja më e mirë, pasi deputetët do të zgjidhen nga votuesit dhe jo nga emrat që përcaktojnë kryetarët e partive. Kryetari i LDK-së theksoi se reduktimi i vendeve në Parlament do të reduktonte edhe shpenzimet e buxhetit të shtetit. "Pakësimi i vendeve në Parlament nga 140, që është aktualisht, në 100 vende, do të kursente dhjetëra milionë lekë", - u shpreh Lesi. Kryetari dhe deputeti i LDK-së u ndal edhe në propozimet për përbërjen e komisioneve zgjedhore të votimit.
“Komisionet e votimit të mos përbëhen nga militantë partiakë të majtë apo të djathtë, por nga njerëz që kanë një lloj pavarësie, si gjyqtarë, prokurorë, mësues, për aq sa ata mund të jenë të pavarur nga politika", - tha Lesi.
Ndërkohë, partitë e vogla parlamentare duket se do të organizohen mes tyre për të zhbllokuar Komisionin e Reformës Zgjedhore. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, i cili deklaroi se ditën e enjte do të ketë një mbledhje të përfaqësuesve të partive të vogla për rifillimin nga puna të komisionit, pavarësisht hezitimit të dy partive të mëdha, PS e PD. “Për të zgjidhur situatën ne do të bëjmë një mbledhje të enjten, ku do të bisedojmë se cilat janë rrugët për të dalë nga bllokimi i reformës, aq më keq nga humnera që po hapet për reformën zgjedhore në Shqipëri. Kjo e fundit, në vend që të sigurojë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në një moment sublim, siç është anëtarësimi në NATO, po mundohen t'i bëjnë varrin partive të vogla. Kjo është e pashembullt në historinë e klasës politike shqiptare. Dy bashkëkryetarët nuk po mbledhin komisionin, duke bllokuar procedurat. Ne, sipas rregullores, do të kërkojmë një mbledhje të këtij komisioni me kërkesë të 1/3 së anëtarëve të tij”, - tha Ceka.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›