Koloreto, një filozof në radio
Një bisedë me djalin e “gjimnastikës së mëngjesit”
Koloreto Cukalin ndoshta pak e njohin me fytyrë. Por zërin, duhet të jenë të shumtë shqiptarët që ia njohin. Djali i orës 7 e 30 në Club FM me “gjimnastikën e tij të mëngjesit”, është një nga të paktët spikera radio-televizivë që ... di çfarë thotë.
Dhe jo vetëm. Kolo, siç e thërrasin të gjithë, është më shumë se kaq. 34 vjeçari i diplomuar për filozofi, ka mendime interesante rreth situatës me mediat sot. E pyetëm Kolon për veten, për të tjerët, për radion, për televizionin, për gazetat.. Lexojeni. Në fund do bindeni, që kemi biseduar së bashku me një nga të paktët shqiptarë... plot ngjyra.
Kolo, pse ka kaq shumë spikerë radiosh dhe televizionesh në Shqipëri që të bezdisin kur “spikerojnë”? Apo ky është vetëm një impresion i atyre soj njerëzve të pakënaqur që mbledhin buzët me gjithçka?
Se nuk të japin asgjë. Sepse ky është një vend “gjasme”-sh: me gjasme-Vipa, me gjasme-gazetarë, me gjasme-liderë, me gjasme-modë, me gjasme-jetë nate, me gjasme-sport, me gjasme-dashuri dhe me gjasme-konservatorizëm, me gjasme-familje.
Të gjithë këta gjasmet, “spikerojnë” pa pushim. Me gjasme.
Ti ke ndonjë “sekret” për “spikerim të mirë” le të themi? Ndonjë formulë që mund të vlejë për të tjerë? Apo, thjesht spontaniteti?
E para duhet të bie dakord që bëkam “spikerim të mirë”.
Sa për formulën, akoma edhe sot vetëm një njeri e di formulën e erëzave të “Kentucky Fried Chicken” dhe e ruan me 100 kasaforta. Sepse formulat nuk jepen
Megjithatë, formulë nuk kam. Dhe jo edhe aq spontanitet.
Ai që flet në radio është ky që jam. Dhe unë jam kështu nga librat që kam lexuar, nga filmat që kam parënga njerëzit me të cilët kam ndenjur.
Si është situata me radiot sot në Shqipëri sipas gjykimit tënd? Një gjë që nuk shkon hiç dhe një gjë që vete mirë?
Situata është hukubet. Radio shqiptare është një diarre fjalësh nga njerëz që në të vërtetë nuk kanë asgjë për të thënë.
Problemi kryesor i radios janë njerëzit që e drejtojnë ose menaxhojnë dhe që në shumicën e rasteve nuk kanë vizionin, konceptin ose mbase s’kanë dëshirënpër të bërë një radio të mirë.
E mira e vetme është që krijohen vende të reja pune. Pra ka njerëz që fitojnë kafen e përditshme duke punuar në radio.
Një pyetje për “vëllain me figurë” të radios, televizionin. Të duket i tejmbushur me muhabete pa fund, emisione logjesh “opinionistike” apo “politike”, (siç i quajmë me përkëdheli), ku kultivohet kultura e bisedave të tjerrura, me “më the”, “të thashë”, “i thashë”.
Shumë pak informacion faktik, nëse qëndrojmë tek informacioni dhe shumë falsitete në spektakle dhe shou. Apo dhe ky është perceptim shqiptarësh të mërzitur?
Për shkak të atyre që sapo thatë më sipër, nuk shoh TV. Shoh radio (qesh). TV besoj që e ka ndryshuar këtë botë, dhe e ka ndryshuar për keq. MTV, reality shoë-s, Big Brother, telenovelat, CNN dhe Oprah Show.
Pjesa më e madhe e njerëzve preferojnë të shikojnë “Big Brother” në vend të një dokumentari mbi peshkaqenët. Është njësoj sikur unë të zgjedh që për pushime të shkoj tek shtëpia e komshiut, dhe jo në plazh.
Le të shpresojmë që Youtube do ndryshojë diçka në marrëdhënien që kemi krijuar me TV.
Kur bën pasqyrën e shtypit në mëngjes, të kemi dëgjuar që je shumë shpesh kritik me faqet e para të gazetave të ditës (po themi kritik për të përdorur një term të butë). Pse?
Nuk e kam me gazetat, e kam me ngjarjet dhe personazhet që pasqyrohen në faqen e parë të gazetave. Nganjëherë gazetat e ulin shumë nivelin e gazetarisë, saqë s’mund të kalohet pa u vënë re.
Ajo që përpiqem të bëj është t’i kthej ngjarjet përmbys e t’i trajtoj me humor. Ka raste kur humori vetiu del i zi. Ka raste, kur ngelet vetëm “zi”-ja se as humor nuk të bëhet...
Si të pëlqen të të përkufizojnë të tjerët, Gazetar?
Jo, sepse nuk jam gazetar. Dhe mbi të gjitha, nuk kam shumë respekt për gazetarin shqiptar.
Do më pëlqente të më përkufizonin si rokstar, por as rokstar nuk jam. Dhe siç duken punët, as kam për të qenë.
E fundit. Një gjë që do të doje ta thoshe në intervistë, po nuk t’u bë pyetja e përshtatshme.
Do doja të flisja dhe për vitin 2012. Kalendari i Majanëve aq i saktë përgjatë mijëra vjetëve mbaron në atë vit, mbase sepse ai komb me atë civilizim të jashtëzakonshëm nuk dinin ose nuk deshën të na e thoshin se ç’do të ndodhte pas vitit 2012. Diçka do të ndodhë, një ndryshim në kohën ose në planetin, ose në kozmosin, ose në shpirtin tonë. Kush duron dot edhe 4 vjet derisa ta marr vesh?
Do kisha dashur të flisja edhe për Lasgushin, njeriun që u bë mit me vetëm 2 libërtha me poezi, ndërsa shkrimtarë pjellorë me 30 romane nuk i lexon njeri. Së bashku me regjisorin Jul Napoloni kemi ndërtuar një dokumentar për Lasgushin me dëshirën që të sjellim atë Lasgush që vetëm ata që i rrinin afër e njihnin: të pasionuar pas verës së mirë, pas femrave të bukura, pas vargjeve të shkruara në copra letrash, pas larjeve lakuriq në liqen... Ndoshta i fundit romantik në një botë çamçakëzësh e Spiderman-ash.
PASAPORTA
Emri: Koloreto
Mbiemri: Cukali
Datëlindja: 1974
Vendlindja: Tiranë
Gjendja Civile: S’kapet kollaj
Diplomimi: Filozofi
PYETSORI I PRUSTIT
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Që nga koha e Prustit kanë ndryshuar ca gjërat, lumturia absolute kam idenë se jeton e mbyllur nëpër çmendina. Ata njerëzit aty brenda, më duken përjetësisht të lumtur.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Alice Cooper. E kam vënë si zile zgjimi.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Qesh shpesh. E fundit ka qenë pardje, n&eum