Bleroni, shqiptari i Wall Street që qarkullon 4 miliardë $ në ditë
Intervistë me ekspertin Bleron Baraliun nga Zais Group / Kriza në Wall Street – një vështrim mbi arsyet dhe pasojat e mundshme
Sa mund të prekë kriza Shqipërinë dhe Kosovën dhe pse qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës duhet të afrojnë rreth vetes talentin shqiptar që po dallohet për suksese në mjediset më kompetitive financiare në botën perëndimore
Bleron Baraliu u lind në Kosovë në vitin 1977. Familja e tij emigroi në SHBA në vitin 1994 kur ai ishte 17 vjeç. I cilësuar qysh herët si talent në matematikë, ai u pranua në Columbia University ku studioi fizikë nën kujdesin e teoricienit të njohur Brian Green.
Duke përfituar nga kërkesa në rritje në Wall Street për matematicienë e programues, Bleron-i u punësua në sektorin e financës, ku shkëlqeu me “Zais Group”.
Sipas revistës së njohur “Trader” që e shpalli fitues të çmimit “30 under 30” – një nga 30 talentet e reja në Wall Street – Bleroni “qarkullon deri një vlerë instrumentesh financiare që shkon deri 4 miliardë në ditë (shifër më e lartë se buxheti vjetor i shumë vendeve të botës).
Bleroni është një nga ata shqiptaro-amerikanët e rinj që kanë thyer këtë vit traditën në politikën amerikane, dukë mbështetur Barack Obama-n, së pari në betejën e tij kundër senatores Hillary Clinton dhe tani kundër senatorit John McCain.
Veç të tjerash, ai ka organizuar një mbrëmje në shtëpinë e tij për të mbledhur fonde për fushatën presidenciale të Barack Obama-s. Mbrëmjen e organizoi në bashkëpunim me miliardierin Paul Tudor Jones II (numri 369 në listën e njerëzve më të pasur në botë sipas revistës “Forbes” me 2,5 miliardë dollarë). Në mbrëmje mori pjesë edhe senatori Obama.
Bleroni, ia kushton suksesin e tij në jetë, të atit, Izet Baraliut. Ai është i martuar me Norën dhe së bashku kanë një vajzë, Dredhëzën.
Ruben Avxhiu në SHBA, e intervistoi Bleronin me kërkesën e SH2.
Bleron, tronditjet në Wall Street kanë qenë në vëmendjen e mbarë botës – disa nga kompanitë më të mëdha financiare të botës po rrëzohen e të tjera rrezikojnë të pësojnë të njëjtin fat. Nëse mund ta shpjegoje me pak fjalë për lexuesin, çfarë po ndodh me tregun financiar dhe pse?
Wall Street po ballafaqohet me shpërbërjen e një piramide të ndërtuar mbi levë arkimediane, me ritëm të shpejtuar gjatë dekadave të fundit dhe të karakterizuar me ngritje të paqëndrueshme të vlerës/çmimit të aseteve, duke filluar nga pasuritë e patundshme, si toka dhe shtëpitë.
Paramendoni ngritjen e një piramide të kthyer përmbys, pra e themeluar në tokë me vetëm një pikë kyçe. Duke shkuar më lart dhe më gjerë, nëse të gjitha elementet e ndërtimit qëndrojnë në relacione perfekte, e gjithë pesha vazhdon të kulminojë e balancuar në këtë pikë kyçe dhe piramida vazhdon të qëndrojë. Por, siç dihet mirë, çdo sistem që ngritet mbi shpresat e perfeksionimit kohor është i destinuar të dështojë, sepse në lartësi të mëdha edhe era më e vogël e lëkund këtë ekuilibrium pikërisht në bazë dhe gjithçka shembet pamëshirshëm, duke rënë pikësëpari mbi supet e atyre që vazhduan ta ndërtojnë lart e më lart.
Për ta vendosur këtë metaforë në rrafshin praktik të çështjes që po shtjellojmë, duhet ta kemi parasysh faktin se rregullat e sistemit perëndimor lejojnë që shuma e kredive të lëshuara në treg nga një bankë të jetë 10 herë më e madhe se rezervat e deponuara në bankën qendrore nga kjo bankë (p.sh. m = 1/R, dhe R = 10% në SHBA). Për disa asete specifike, rezervat e kërkuara ulen edhe deri në zero, që do të thotë se sistemi rregullativ në botën perëndimore lejon për lëvrim ("leveraging") të aseteve në shumëfishe marramendëse.
Në rastin konkret, kompanitë e mëdha si Lehman Brothers dhe Bear Stearns, në pasqyrën kontabiliste të tyre mbanin asete rreth 30 herë më shumë se vlera bazë e investimit të tyre ("equity"). Pjesa tjetër e blerjes së aseteve pra mbulohej me kredi rrotulluese, si "commercial paper", që ata e tregtojne në Wall Street apo përmes dritares huazuese të qeverisë ("The FED"), duke krijuar kështu "balance sheet leverage".
Në një rrjedhshmëri të përsosur të sistemit, Lehman do të merrte kredi afatshkurtëra pa kufi, p.sh., çdo ditë, apo çdo javë, me kamatë më të ulët dhë në ndërkohë me këtë do të financonte produktet komplekse huadhënëse afatgjata të ndërtuara mbi kontrata hipotekuese për blerje shtëpish ("mortgages"), me një kamatë më të lartë, duke nxjerrë kështu një fitim të vazhdueshëm. Mirëpo, në momentin që vlera e shtëpive fillon të bie dhe asetet e bazuara mbi to i shkaktojnë humbje kësaj kompanie, ajo fillon të pësojë kriza konfidenciale dhe do të ketë vështirësi serioze të vazhdojë financimin afatshkurtër në të ardhmen. Duke pasur parasysh se humbjet në Wall Street nga procesi i deflacionit në vlerat e shtëpive arritën qindra miliarda dollarë, kjo pikërisht ndodhi me kompanitë financiare si Lehman Brothers dhe Bear Stearns, dhe ato u detyruan të kërkojnë strehim për gjendjen kontabiliste të tyre, dhe në fund edhe të bankroptojnë (Lehman) apo gëlltiten (Bear, Merrill). Një fat i tillë mund t'i presë edhe shumë firma tjera investuese të ndërtuara mbi këtë model.
Dy pika kritike që duhet përmendur këtu janë se, e para, kriza filloi nga lëvrimi i kredive për blerje shtëpish ("Main Street",) pra ku njerëzit blenin shtëpi që nuk kishin të ardhura personale t’i mbulonin, por merrnin kredi pa mbulesë reale sepse "Wall Street" ua mundësonte këtë përmes strukturimeve komplekse financiare që në fakt rrisnin lëvrimin e brendshëm të të gjithë sistemit; dhe e dyta, se humbjet në bazë të krizave në rënien e vlerave të shtëpive nuk ishin detyrimisht mjaft që t’i bënin kompanitë në Wall Street insolvente, por kriza e konfidencës që pasoi vuri në pyetje mundësinë për të lëvruar asetet përmes kredive afatshkurtëra, duke shkatërruar pamëshirshëm ekulibrimin aftagjatë – afatshkurtër në sistem.
Domethënë këto kompani nuk kishin më mundësi të financonin aktivitetin e tyre afatgjatë në tregun afatshkurtër, sepse kriza e konfidencës pothuajse e zhduki fare mundësinë për huamarrje në afat disaditor apo javor, sidomos për kompanitë financiare investuese, si Lehman, Bear, Goldman, Morgan Stanley, Merril Lynch...
Një pjesë e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë nuk ndjejnë ndonjë lidhje konkrete, deri tani, në jetën e tyre me ato çfarë po ndodh në Wall Street. Të tjerë druhen se po afrohet një periudhë e zezë e ngjashme me atë të Depresionit të Madh në vitet 1930. Sa rol mund të luajnë këto rrëzime të mëdha financiare në pjesën tjetër të ekonomisë së New York-ut, Amerikës dhe botës?
Nuk kam as dyshimin më të vogël se krizat financiare në Wall Street do të kenë zgjerim mbresëlënës në të gjitha sferat e jetës këtu në New York dhe më tutje në gjithë botën. Kjo do të vijë së pari përmes presionit financiar për biznese të vogla, sepse bankat do të ngurrojnë shumë më tepër përpara se të japin kredi për biznese dhe indidividë, e pastaj edhe përmes ngadalësimit të dukshëm te rritjes ekonomike vjetore në SHBA dhe botë.
Sistemi kompleks financiar që ka rrënjet në Wall Street është në një farë mënyre motori i financimit të rritjes globale ekonomike.
Ngadalësimi ekonomik në SHBA sjell uljen e importeve nga bota emergjente, që ndikon rëndë në ekonominë e tyre. Po ashtu, ky ngadalësim ndikon në papunësi, ulje të shitblerjeve, dëmtim të konfidencës së konsumatorëve, që në fund sjellin në ulje të nivelit të shpenzimit në tregjet e përgjithshme dhe presion të drejtpërdrejtë në vlerën e aseteve të patundshme.
Mirëpo, ndërhyrja qeveritare që të shpëtojë sistemin më në fund e ka natyrën e duhur, me gjithë dilemat e mëdha morale që vijnë bashkë me këtë ndërhyrje, prandaj edhe nuk besoj se në afat të shkurtër do të flasim për kriza të ngjashme me ato të Depresionit të Madh. Duhet pasur parasysh megjithatë se New York-u do të goditet veçanarisht më shumë për arsye të ndikimit drastik në kompenzimin e fuqisë punëtore në Wall Street, bonusi i të cilëve do të jetë dukshëm më i ulët për shumë vite me radhë.
Kur mendoj për ndikimet në komunitetin tonë, më shumë mërzitem për efektet ekonomike në pronarët e shumtë të restoranteve si dhe kam frikë se botëkuptimet e thelluara në shumë vite do të ndikojnë që komuniteti ynë të vazhdojë investimet në patundshmëri ("real estate",) investime të cilat në këtë ambient të ri duhen analizuar me kujdes të jashtëzakonshëm, sidomos në zonen e tri shteteve, ku çmimet sapo kanë filluar të bien dhe mund të shkojnë shumë më poshtë para se të stabilizohen.
Shqipëria e Kosova mbeten gjithësesi në "periferinë financiare" të botës. A shihni pasoja të mundshme në ekonominë e tyre nga këto zhvillimet e fundit?
Siç e ceka më lart, pasojat për vendet në zhvillim mund të jenë shumë të larta. Kosova dhe Shqipëria janë disi fatlume të mossuksesit të tyre në këtë fushë. Mungesa pothuajse e plotë e vendit tonë nga tregjet financiare botërore bën që ai të pësojë më se paku, por e ardhmja e financimit për zhvillime të shpejta në rajon duket e vështirë. Ne duhet të shfrytëzojmë rastin që të themelohemi si lojtarë të përsosur dhe rigorozë, sepse lëndimet e mëdha nga lojtarë me përvojë krijojnë zbrazëti që janë plot mundësi për avancimin e atyre që janë më të shëndetshëm.
Mirëpo, shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon angazhim dhe disponim kooperues të qeverive shqiptare për të punuar në këtë drejtim dhe deri më tani nuk mund të them se një disponim i tillë ka rrënjë të shëndosha në politikat shqiptare.
Për fat të keq, nëse bazohem në përvoja të deritashme, çdo tentim për të krijuar hapësirë bashkëpunimi me qeveritë tona në rrafshin financiar shihet me një dozë pesimizmi dhe mosbesimi nga ata, që e bën punën tonë të vështirë, sidomos kur kihet parasysh toni mikpritës nga rivalët në rajon drejt bashkëpunimeve të tilla.
Me këtë nuk dëshiroj të jem kritik mbi të kaluarën e bashkëpunimit të qeverive tona me diasporën, por i ftoj ato të ofrojnë rreth vetes talentin shqiptar që shpeshherë dallohet për suksese në mjediset më kompetitive financiare në botën perëndimore.
Në vitet e fundit, një numër i madh shqiptaro-amerikanësh të rinj janë punësuar në sektorët financiarë e bankarë. Çfarë roli do të luajnë tronditjet e fundit përgjithësisht për karrierën e tyre sot dhe në të ardhmen e afërt? (Po kështu edhe për ata që nga kolegjet parashikonin të punësoheshin menjëherë në këto sektorë.)
Mendoj se tronditjet e këtilla për të rinjtë që sapo kanë hyrë në botën financiare krijojnë shanse të vlefshme për të përfituar përvojë si dhe për t'u ngritur më lart dhe më shpejt në karrierën e tyre, sidomos për ata të rinj me talent të dalluar. Në afat të shkurtër, këto kriza mund të ndikojnë negativisht në financat e tyre, mirëpo nuk kemi të bëjmë me shifra kritike. Në anën tjetër, unë jam shumë pozitiv për të ardhmen e të rinjve shqiptarë në Wall Street që njoh se çfarë po mësojnë dhe si po poziconohen kundrejt këtyre zhvillimeve historike në industrinë tonë.
Ka një debat të fortë në media se çfarë duhet bërë me kompanitë që po rrëzohen. Disa thonë se qeveria duhet të ndërhyjë për të shpëtuar pasojat katastrofale për ekonominë. Të tjerë thonë se rrëzimi është i merituar dhe është e vetmja mënyrë për të edukuar Wall Street-in me ndjenjën e disiplinës dhe me sensin e masës. Ata shtojnë se planifikimi qendror nuk është kurrë zgjidhja më e mirë. Cili është opinioni juaj në këtë debat?
Opinioni im pa u zgjeruar në shtjellime filozofike dhe morale rreth vlerave të sistemit demokratik dhe kapitalist është se atë që po bën qeveria sot nuk është thjesht një ndërhyrje për të shpëtuar Wall Street-in, por një përpjekje për të shpëtuar sistemin financiar nga një rrëzim kataklizmi që mund të lëkundë trembshëm demokracinë perëndimore dhe konceptet e tregut të lirë.
Kjo ndërhyrje është e natyrës së tillë që thelbësisht krijon dilema morale mbi mbrojtjen që qeveria po i bën shtresës së pasur, pra Wall Street-it, por këtë është e obliguar ta bëjë për hir të mbrojtjes së qytetarit të rëndomtë nga pasojat e dështimit të sistemit financiar.
Unë mendoj se krizat e sotme janë shprehje e drejtëpërdrejtë e dështimit të qeverisë amerikane dhe institucioneve rregullative për të parandaluar këtë situatë,duke pasur shansa për të evituar këto kriza deri edhe para një viti, por këto mundësi tani mbeten asgjë më tepër se histori. Botëkuptimi im rreth shkathtësive të z. Greenspan e me vonë sidomos te z. Bernanke ka qenë shumë pesimist, por tash jam edhe më i bindur se qeveria amerikane nuk është konsultuar me talentin e vërtetë intelektual ekonomik se si duhej vepruar përballë këtyre krizave.
Për herë të parë mund të them se jam më tepër optimist rreth asaj që po bëhet, mirëpo edhe këto plane kanë të meta të mëdha që do të mbajnë lart peshën e presionit mbi ekonominë globale për një kohë të gjatë. Megjithëse mund të tingëllojë arrogante të thuhet se plani i Paulson ka zbrazëti të mëdha, më duhet të cek se trajektorja e veprimeve të tij la shumë per t'u dëshiruar muajt e fundit, duke rezultuar në një zhveshje të "blafit" të tij nga tregtarët, që nuk u mërzitën fort për "bazukën e zbrazët të Paulsonit" dhe masakruan aksionet në bursa gjithandej nëpër botë.
A guxon të bësh një parashikim se çfarë do të ndodhë në ditët dhe javët e ardhshme?
Miqtë e mi e dinë se rrallë herë më mungon guximi për të bërë prognoza, por më duhet të theksoj se tani është një moment shumë më i veshtirë se kurdo më parë për të bërë këtë. Mendoj se në afat të shkurtër, vlera e aksioneve në treg do të qëndrojë mesatarisht e njëjtë, por me lëvizje të mëdha ndërkohë. Mund të them se niveli i ngritur i volatilitetit do të jetë pranë nesh për një kohë të gjatë.
Po ashtu kam frikë se vetëkënaqësia e tepruar që është karakteristike për tregjet financiare, do të bartet edhe në lidhje me intervenimet e qeverisë dhe të mbivlerësohet ky intervenim. Kur pluhuri të pastrohet nga skena, pjesëmarrësit në treg do të kalojnë edhe nëpër një periudhë të re paniku nga fundi i këtij viti, që do të sjellë edhe një valë tjetër shitjesh në bursa. Sygjerimi im për investitorët është që të përgatiten për një pozicionim konservativ prej dhjetorit e tutje, para se të nguten për të blerë aksionet mjaft të depresionuara të tregut.
Sa i përket prognozave makroekonomike, unë kam qenë kryesisht shumë më pesimist se ekonomistët mesatarë në Wall Street këto tre vitet e fundit dhe vazhdoj të qëndroj në këto bindje. Besoj se recesioni është i paevitueshëm dhe do të jetë më i rëndë se sa parashikohet, mirëpo ekonomia e SHBA-ve ende mbetet reziliente dhe do ta përballojë këtë vrull zhvillimesh negative. Po ashtu, çmimet e larta të energjisë do të krijojnë presion tek konsumatorët, sepse nuk shoh ndonjë ulje të thellë të çmimeve të komoditeteve siç parashihet nga prognozistët e zakonshëm në Wall Street.
Në përmbledhje, nuk mund të mohoj faktin se në afat të gjatë jam mjaft i brengosur në lidhje me borxhin e thellë që SHBA-të kanë ndërtuar dhe efektet e rënda që kjo mund t'i sjellë ekonomisë botërore.