E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja tek kazinoja për humbjen e parave në bixhoz

 

Viktima ka humbur të gjitha paratë që kishte me vete dhe më pas është nxehur duke thyer pajisjet e lokalit

TIRANË- Inati për humbjen e parave në bixhoz dhe thyerja e të gjitha pajisjeve elektronike të kazinosë është shkaku i vrasjes së ndodhur dy ditë më parë në kryeqytet. Hetimet e policisë së Tiranës kanë zbardhur të gjithë motivin e sherrit që përfundoi me vrasjen e ish-policit. Për të bërë këtë gjë policisë i është dashur vetëm 12 orë nga vrasja e 40-vjeçarit Muharrem Lita pranë një kazinoje te Stacionit i Trenit në Tiranë. “Humbja në ruletë e ka irrituar 40-vjeçarin Muharrem Lita, i cili filloi të thyente kompjuterët. Për të qetësuar klientin ka ndërhyrë efektivi i FNSH-së Kastriot Stojani, i cili ishte i punësuar pranë kësaj kazinoje. Por situata është rënduar duke përfunduar me vrasjen e klientit dhe prangosjen e policit”,- thanë për “Shekullin” burimet policore. Kastriot Stojani u arrestua fill pas ngjarjes e cila ndodhi dy net më parë pranë bar Kazino “Admiral Club” në Tiranë.

Motivi

Nga hetimet e policisë është zbuluar se Muharrem Lita kishte shkuar në ambientet e kazinosë që ndodhet pranë stacionit të trenit në kryeqytet për të provuar fatin. Mësohet se ai ka qëndruar aty për disa orë duke humbur të gjitha paratë që kishte me vete. Rreth 800 mijë lekë të vjetra ka lënë në ruletë ish-polici dhe pasi ka konstatuar se kishte harxhuar të gjitha paratë ai është irrituar. Burime nga policia thanë për gazetën se sipas dëshmive të mbledhura në kazino, Lita ka filluar të godasë e thyejë pajisjet e kazinosë. Personeli ka lajmëruar menjëherë administratorin e lojërave të fatit i cili ka ndërhyrë për të qetësuar viktimën dhe më pas ka njoftuar, Kastriot Stojanin, i cili ishte i punësuar pranë kësaj kazinoje, për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa ishte dhe efektiv pranë Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë. “Ne njihemi bashkë, dhe nuk shkon të shkatërrosh pajisjet”, mësohet t’i jetë drejtuar me gjakftohtësi Stojani ish-kolegut të tij. Pas disa minutash, 35-vjeçari bashke me administratorin kanë mundur të qetësojnë Litën i cili ka vazhduar të qëndrojë në kazino.

Vrasja

Por sapo ka dalë nga kazinoja me “xhepat bosh” Muharrem Lita ka nisur sërish të përdorë fjalë banale. Madje ai ka thyer edhe xhamin e derës së kazinosë. Më pas 40-vjeçari është kthyer nga Kastriot Stojani duke i thënë se kishte bërë gabim që kishte ndërhyrë. Mes tyre ka nisur një debat i ashpër, i cili ka vazhduar me përdorimin e grushteve. Në gjaknxehtësi e sipër të paktën kështu ka deklaruar në polici, Stojani ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar tre herë mbi ish-policin. Ky i fundit mbeti i vdekur në vend pasi një nga plumbat i depërtoi në kokë. Në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë policia e cila brenda pak minutash identifikoi dhe shoqëroi autorin e dyshuar kryesor të vrasjes. Kastriot Stojani babai i tre fëmijëve, polic i FNSH-së, dyshohet se qëlloi për vdekje klientin e kazinosë. Në cilësinë e provës materiale, Stojanit iu sekuestrua arma e zjarrit e llojit pistoletë, e cila pas ekzaminimit balistik të kryer, u arrit në përfundimin se predhat e gjetura në vendin e ngjarjes janë të nxjerra nga arma që ishte në posedimtë policit.

Autori i krimit, babai i tre fëmijëve, pranon vrasjen duke u shfajësuar se Muharrem Lita e kishte sulmuar i pari

Rrëfimi: E vrava Litën nga gjaknxehtësia

TIRANË- Për policinë nuk qe e vështirë të identifikonte dhe shoqëronte autorin e dyshuar kryesor të vrasjes së Muharrem Litës. 35-vjeçari Kastriot Stojani nuk ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Sapo ka mbërritur në qelitë e drejtorisë së policisë, polici i FNSH-së u dëshmoi kolegëve të tij se e kishte qëlluar ai Litën duke treguar edhe motivin.“Po. Unë e vrava Muharrem Likën. Nuk munda ta ruaj gjakftohtësinë. Gjithçka ndodhi në grindje e sipër. Jam penduar”. Mësohet të ketë deklaruar para oficerëve të policisë kriminale Stojani. “Më thirrën të qetësoja situatën, pasi Muharrem Lita kishte humbur paratë në lojë dhe po shkatërronte makineritë. U përpoqa ta qetësoja deri sa e binda. Por sapo doli jashtë ai nisi sërish të bëhej agresiv duke thyer edhe xhamin e derës kryesore dhe mua nisi të më shante. Në grindje e sipër ai nisi të më gjuante, ndërsa unë në gjaknxehtësi nxora pistoletën dhe e qëllova”,- ka vazhduar më tej me dëshminë e tij babai i tre fëmijëve. Ndërkohë që për kolegët e tij, autori i vrasjes së dy net më parë në ambientet e një kazinoje, ishte shume i qetë e njihej si një njeri që shikonte hallet e tij. Sipas kolegëve, Kastriot Stojani ishte shumë korrekt në punën e tij dhe kurrë nuk ishte përfshirë në debate ndërsa askush nuk kishte mundur të mendonte se 35-vjeçari do të ishte protagonist në një vrasje. Ekspertiza ka treguar se krimi është kryer me armën e shërbimit të Stojanit dhe kjo ka shfajësuar nga gjithçka dy kolegët e tij që ndodheshin së bashku me të në momentin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›