Avokati i Bares: Gjykata vepron me dy standarde
Avokati i Aldo Bares, Vladimir Meçi, me anë të një memo-je ka akuzuar Gjykatën e Krimeve të Rënda se vepron me dy standarde për klientin e tij. Ai tha se dëshmia e Gramoz Selmanit ishte e dyshimtë, pasi mbi dëshmitarin rëndojnë akuzat për gjashtë vrasje dhe ndaj tij ka një vendim gjyqësor me masën “arrest me burg” i cili nuk është ekzekutuar asnjëherë. “Ky person nuk është akuzuar se ka vjedhur një lopë a diçka të ngjashme, por, është marrë si i pandehur për akuzën e vrasjes në 6 raste”, tha Meçi, duke theksuar se në këto kushte, Selmani duhet të ishte arrestuar. Avokati tha se ka dyshime se midis Gramoz Selmanit dhe organeve të policisë ekziston një marrëveshje e fshehtë me përfitim reciprok. “Ky pretendim i yni po vërtetohet nga mënyra se si po zhvillohen seancat gjyqësore. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ndodhemi përpara zbatimit të standardeve të dyfishta” shtoi Meçi. Në fund tha: “Gjykata heshti në seancën e kaluar... gjykata në heshtje pranoi ta dhunojë parimin e barazisë para ligjit në rastin e Gramoz Selmanit... gjykata heshti kur nuk pranoi të zbatonte të njëjtin standard që ishte përdorur për Andi Tomën, vetëm pse ishte fjala për Aldo Baren, gjykata heshti kur nuk pranoi gjykimin e shkurtuar për Aldo Baren!”.
#