Tritoli në Kukës, kërcënim për zyrtarin
Një shpërthim tritoli ka tronditur mëngjesin e djeshëm qytetin e Kukësit. Ka qenë ora 03:00 e së mërkurës, kur në derën e apartamentit të kryetarit të Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, në Lagjen Nr.2 të qytetit ka shpërthyer një sasi tritol, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Një grup ekspertësh të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit dhe ekspertë të mbërritur nga Tirana po hetojnë rreth kësaj ngjarjeje, për të identifikuar autorët e mundshëm, si dhe motivet e ngjarjes. Deri dje në mesditë janë shoqëruar në polici tetë persona, por ende nuk ka një version zyrtar për pistat e hetimit dhe përgjegjësit.
Ngjarja, sipas familjarëveKryetari i qarkut, Shefqet Bruka, tregon se në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm është zgjuar nga shpërthimi i fuqishëm te dera. “Dola menjëherë te dera e jashtme dhe pashë tym të zi, konstatova se ishte dëmtuar dera e fqinjit dhe që përpara derës sime ishte dëmtuar pak muri dhe ishin thyer disa pllaka të shkallës. U futa brenda dhe qetësova fëmijët që ishin të frikësuar. Më pas njoftova organet kompetente që erdhën menjëherë”, tregon Bruka. Në shtëpi kanë qenë gruaja e Shefqetit dhe dy fëmijët, të cilët në mëngjes kanë shkuar në shkollë si zakonisht.
PoliciaBurime nga Komisariati i Policisë së Kukësit tregojnë se sapo është marrë njoftimi nga familja Bruka, një efektiv i gatshëm ka shkuar në lagje, ku ka marrë nën kontroll situatën. “Me të marrë telefonatën nga i zoti i shtëpisë, kemi shkuar atje dhe kemi këqyrur mjedisin, ku verifikuam se nuk ka pasur dëme në njerëz”, tha një zyrtar i lartë i policisë lokale. Hetimet janë intensifikuar me afrimin e mëngjesit, kur drejt Kukësit kanë udhëtuar edhe një grup ekspertësh nga Tirana, si dhe prokurori i Rrethit të Kukësit. Gjatë orëve të paradites janë shoqëruar për në komisariat tetë persona, si autorë të dyshuar të ngjarjes apo bashkëpunëtorë në krim. Për momentin, vepra klasifikohet si dëmtim i pronës së tjetrit, por hetimet janë përqendruar edhe në pistën e krimit për shkak të detyrës, ndërsa në orët e ardhshme mund të zgjerohet edhe rrethi i të shoqëruarve. “Kemi shoqëruar tetë persona, kemi marrë në pyetje disa të tjerë dhe po punojmë intensivisht për të zbardhur ngjarjen”, tha drejtori i policisë së qarkut, Ali Elezi, duke shtuar se mund të shoqërohen edhe persona të tjerë për këtë ngjarje. Elezi shtoi se lënda shpërthyese e vendosur në portën e shtëpisë së Brukës ka qenë një sasi e vogël tritoli, e pamjaftueshme për të shkaktuar viktima. Mendohet se akti nuk ka pasur qëllim dëmin në njerëz, por ka qenë një paralajmërim.
Edhe prokurori i rrethit, Xhevahir Lita, tha se është ngritur një grup hetimor për të zbardhur këtë ngjarje dhe për të vënë përpara drejtësisë autorët. Ai tha se hetimi po zhvillohet në dy pista, por pa specifikuar se cilat janë këto pista. “Në bashkëpunim me policinë kemi marrë të gjitha provat e mundshme dhe tani për tani mund të them se bëhet fjalë për veprën penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv. Për shkak të hetimit nuk mund të bëj publike të dhëna të tjera”, tha Lita.
Shpërthimet kanë qenë të rralla në Kukës. Një vit më parë, një shpërthim tritoli në afërsi të banesës së kryetarit të bashkisë së qytetit shkatërroi makinën e djalit të këtij të fundit. Por dhe sot kjo vepër ka mbetur pa autorë.
#