Vrasja në Durrës, viktima ka shumë precedentë penalë
Pistat e hetimit për zbardhjen e vrasjes së 35-vjeçarit Deliallisi në Durrës janë përqendruar kryesisht në precedentët penalë që viktima ka pasur kur ka qenë në Itali. Pasditen e djeshme ai është përcjellë për në banesën e fundit në fshatin e lindjes, në Borakë të Sukthit. I dënuar për vrasje, trafik lëndësh narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni, viktima e natës së të martës në Durrës kishte tre vjet që ishte kthyer në atdhe, po ndërkohë ka vijuar udhëtimet në vendin përtej Adriatikut. Polica ka nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët e vrasjes që tronditi Durrësin, duke përsëritur në shumë elementë të saj vrasjen e biznesmenit në Shkodër. Përveç larjes së hesapeve, po hetohet dhe në të tjera pista: vrasje pas një konflikti për arsye banale, apo dhe konkurrence në prag të sezonit turistik. Në deklaratën zyrtare, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka pohuar se krimi ndodhi në Lagjen 13, plazhin e Durrësit, në afërsi të vendit të quajtur “Bregu i Kanalit”, në kohën kur Shyqyri Deliallisi 35 vjeç, udhëtonte me automjetin tip “Volswagen”, me targa DR0730F. Në komisariatin e policisë janë shoqëruar disa persona, të cilët u pyetën në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e hetimit, ndërsa vazhdon puna për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve policore, problemet me drejtësinë në Itali e kishin bërë viktimën të njihej me disa emra. Në lajmërimin e vdekjes së Deliallisit emri i tij është Eugent dhe në kllapa shoqërohet nga emri Genti. Ai ishte pronar i diskos “3X” në plazhin e Durrësit dhe u vra rreth orës 20:15 të së martës në sy të bashkëshortes vetëm pak metra larg shtëpisë. Ndërkaq, gjatë kontrollit, jo larg shtëpisë së viktimës policia ka gjetur dy skafandra motori dhe një çantë të hedhur sportive, të cilat janë dërguar për ekzaminim dhe marrjen e gjurmëve në laboratorin shkencor, duke rritur mundësinë e identifikimit të autorëve të këtij krimi të rëndë. Pasi kanë qëlluar mbi Deliallisin, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja me motor dhe ende nuk janë gjetur.
#