Opozita, mitingu i datës 30 prill do të jetë pa limit
Data 30 prill nuk do të jetë vetëm kulmi i fushatës së protestave të opozitës, por edhe fillimi një manifestimi që nuk do të mbyllet deri në arritjen e një zgjidhjeje politike për krizën në vend. Kështu, opozita ka ndërmend të tejkalojë përmasën e demonstrimit treditor të nisur më 20 nëntor 2009, duke zgjedhur një qëndrim pa limit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Skënderbej”. “Njerëzit janë lajmëruar për datën e nisjes së protestës, por jo për afatin e përfundimit të saj. Kjo është një protestë pa afat skadence, sepse ne nuk do të largohemi pa arritjen e një zgjidhjeje që të jetë e pranueshme edhe për opozitën”, deklaroi dje për “Shqip”, kreu i G99, Erjon Veliaj. Sipas tij, ky është një vendim i ditëve të fundit i përfaqësuesve të opozitës që shpalos kështu vullnetin e pakthyeshëm për t’iu imponuar pushtetit nga rruga. Vështruar në kontekstin e zhvillimeve të fundit, kjo zgjidhje përqaset si një gjetje logjike që i përmbahet situatës shumë të tendosur mes palëve. Por zgjatja në kohë e një manifestimi popullor, apo më saktë moskufizimi i saj, duket se synon amplifikimin e forcës politike të një opozite që prej disa muajsh nuk po arrin të imponojë alternativat e veta. Përvoja e 20 nëntorit jep një ilustrim rreth këtij koncepti të politikës opozitare që edhe njëherë tjetër nuk pranon të sqarojë se çfarë qëndron përtej protestës dhe lëvizjeve të rrugës. Ky element qendror në strategjinë e ballafaqimit me pushtetin, ka një rëndësi të dorës së parë sidomos po të merret në konsideratë fakti se objektivat e parashtruar kapërcejnë ndjeshëm mundësitë e një proteste. PS ka hedhur në lojë idenë e zgjedhjeve të parakohshme dhe kombinimi i presionit verbal ndaj qeverisë me atë që vjen nga organizimi i lëvizjeve qytetare nuk është provuar ende si një forcë përcaktuese në ekstremizmin e krizës politike. Në këtë kuadër nuk duhet harruar pesha e komunitetit ndërkombëtar që së fundmi po ruan një qëndrim neutral, i cili shkon në favor të shumicës në pushtet. Sa i përket këtij aspekti që ndërhyn në krizat shqiptare, Veliaj ka deklaruar se puna lobuese dhe informuese nuk është ndërprerë për asnjë moment. Madje ajo nuk është kufizuar vetëm me selitë diplomatike në Tiranë, por është drejtuar përmes një strukture informuese permanente edhe në Bruksel. E reja e qëndrimeve të opozitës është ndërtimi i aksionit të saj brenda forcës së vet reaguese dhe imponuese, për ta lënë komunitetin ndërkombëtar si një faktor të dorës së dytë. “Ne kemi vijuar të informojmë partnerët tanë dhe do të vijojmë që ta bëjmë këtë gjë. Megjithatë, bindja jonë është se kjo situatë mund të zgjidhet vetëm në Shqipëri”, deklaroi kreu i G99. Protesta ripërkufizohet kështu, në një dritë të re, jo më si një alibi politike e faturës që solli me vete 28 qershori, por si rruga e vetme prej nga ku opozita shqiptare të mund të rifaktorizojë veten. Afrimi i proceseve integruese dhe liberalizimi i vizave si një hap me rëndësi edhe elektorale, po e gjen të majtën jashtë kuadrit vendimmarrës dhe me një objektiv që me kalimin e kohës po bëhet inkoherent me realitetin. Sado parimore të jetë beteja e PS dhe aleatëve të saj, fiksimi në një pikë të vetme po krijon përshtypjen e humbjes së ritmit, çka mund të rigjejë kohezionin vetëm përmes një akti force si protesta.
#