Prokuroria: Ditën e ngjarjes, Taku është grindur me një femër
Prokuroria e Tiranës ka verifikuar çdo të dhënë për vrasjen e datës 30 mars në Tiranë, ku në afërsi të stadiumit “Dinamo” është ekzekutuar 35-vjeçari Spartak Camaj, i quajtur ndryshe si “Taku” i Yzberishtit. Në skanerin e grupit hetimor kanë kaluar tabulatet telefonike të viktimës, si dhe janë marrë në pyetje personat që janë takuar së fundi me Spartakun. Ka dyshime se rreth një orë e gjysmë para ngjarjes, “Taku” është grindur me një mikeshën e tij në një nga lokalet e Tiranës. Më pas është larguar me shpejtësi dhe kjo ngjarje konsiderohet si një pistë e mundshme për ekzekutimin e tij. Me gjithë verifikimet, prokuroria dhe policia ende nuk ka asnjë person të dyshuar për vrasjen. Janë ngritur tri pista. E para ka të bëjë me një konflikt të vjetër me ish-shokun e tij, e dyta ka të bëjë me një çështje pronësie dhe e treta, por jo nga rëndësia, është konflikti i 35-vjeçarit për një femër. Disa ditë para ekzekutimit, prokuroria ka marrë informacione se Canaj është konfliktuar me disa persona, ndërsa në pyetje është marrë edhe vajza, e cila ka pranuar se ka pasur një konflikt. Ndërkohë, prokuroria ka marrë në dorë tri vendime që Canaj është dënuar për ngritjen e pistave të reja. Në vitin 1991 është dënuar për veprime të pamoralshme në dëm të shoqërisë. Në vitin 1996 është dënuar për plagosje dhe dënimi i fundit është në vitin 2003, ku është dënuar për rrëmbim të mbetur në tentativë dhe kanosje, për të cilën u dënua 11 muaj burg.
#