Tentativa e arratisjes të të dënuarve, arrestohet gardiani i turnit
Petrit Selimi është prangosur me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi ai nuk ka qenë i vëmendshëm në momentin e arratisjes së katër të dënuarve
KRUJË Tentativa e arratisjes së katër të dënuarve nga burgu i sigurisë së lartë të Fushë-Krujës është pasuar nga arrestimi i një gardiani. Petrit Selimi është arrestuar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi hetimet kanë treguar se ai nuk ka qenë i vëmendshëm në momentin që të katër të dënuarit kanë tentuar të arratisen. Të burgosurit Fran Marashi, Altin Kodra, Gëzim Gjuri dhe Prel Vuçaj nuk janë vënë re nga polici i shërbimit, i cili ishte i vendosur në korridorin e dhomave në godinën Nr.3 të burgut të Fushë-Krujës, dhe ai duhej të ruante te këta të burgosur.
Mbrojtja
Në deklarimin e tij gardiani Petrit Selimi është shprehur se “nuk ka dëgjuar asnjë zhurmë në momentin që ai ka qenë me shërbim. Ndërsa ai ka kontrolluar në momentin e marrjes së shërbimit të gjitha dhomat që kishte nën ruajtje ai, për tetë orë nuk ka vënë re asnjë shenjë të prerjes së telave dhe asgjë të dyshimtë, që mund të mendonte për një arratisje të mundshme të katër të arrestuarve. Po kështu gjatë hetimeve Selimi është shprehur se “vetëm kur ka dëgjuar të shtënat me armë nga ana e kolegut të tij, ai ka kontrolluar menjëherë dhomat dhe ka vënë re edhe largimin nga dhoma e të katër të burgosurve. Ai është shprehur se në momentin e largimit nga dhoma i katër të dënuarve, nuk ka dëgjuar edhe për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që binte në atë moment. Ndërsa ka deklaruar se vazhdimisht ka kontrolluar të paktën një herë në 30 minuta të gjitha dhomat e të burgosurve, por drita e dhomës së katër të dënuarve që tentuan arratisjen por edhe e dhomave të tjera kanë qenë të fikura dhe ishte e vështirë të shikohej me imtësi Sipas burimeve zyrtare, mësohet se Petrit Selimi e ka marrë detyrën në orën 22.00 dhe do ta dorëzonte në orën 6.00 të mëngjesit.
Transferimi
Sipas burimeve zyrtare të burgut të Fushë-Krujës, asnjë nga të dënuarit nuk do transferohet për momentin, pasi ata janë nën hetim, po punohet për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tyre. Ndërsa janë shtuar edhe masat e sigurisë në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë. Me marrjen në pyetje të Fran Marashit, Altin Kodrës, Gëzim Gjurit dhe Prel Vuçajt, po merren ekspertët më të mirë të drejtorisë së burgjeve, ndërsa gjatë marrjes në pyetje por edhe qëndrimit në dhomat e izolimit të tyre, po përdoren metoda speciale. Burime pranë organit të prokurorisë bëjnë të ditur se “në këtë tentativë arratisje janë të përfshirë edhe persona të tjerë, prandaj nuk përjashtohen mundësia e të tjera arrestimeve". Ndërsa janë pyetur edhe drejtuesit e këtij burgu si dhe gardianë të tjerë të cilëve u është kërkuar informacion paraprak dhe i detajuar, për të parë nëse ato çfarë deklarojnë përputhem me raportet e shërbimeve.