“Çmendet” temperatura në Kuçovë, dje 43 gradë
KUÇOVE – Drejtoria e Shëndetit Publik në Kuçovë dha dje alarmin pasi barometri shënoi në orët e drekës 43 gradë. Brenda dy ditëve në spitalin e qytetit janë shtruar 30 të moshuar me probleme kardiake dhe 32 fëmijë me viroza të stinës. Burime nga stacioni meteorologjik bënë të ditur se prej dy ditësh, temperaturat në këtë qytet kanë shënuar rritje. Sipas tyre, dje në drekë në qytet u shënua 43 gradë, temperatura më e lartë që mbahet mend prej shumë vitesh. Temperatura më e lartë u shënua kryesisht në zonën naftëmbajtëse, në zonën e Distilerisë, Postobllokut, Polovinë dhe brenda në qytet. Drejtuesit e pushtetit lokal kanë dhënë alarmin përballë kësaj situate. Kreu i Bashkisë, Artur Kurti, tha për gazetën se po koordinohet puna me Drejtorinë e Shëndetit Publik për të marrë masa urgjente. “Ne po marrim masa urgjente në të gjitha zonat për të parandaluar rastet e rënda shëndetësore” u shpreh Kurti. Mësohet se janë marrë masa për furnizimin e qendrave shëndetësore me medikamentet e nevojshme, për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, Artan Asllani, personeli i qendrave shëndetësore është në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në rast nevoje. Masa janë marrë edhe për disa komuna ku temperaturat janë gjithashtu shumë të larta, kryesisht në komunën e Kozarës dhe të Perondisë. Ekspertë të meteorologjisë nga “Meteoalb” konfirmuan dje temperaturën e lartë në Kuçovë. Sipas tyre, gjatë këtyre ditëve janë shënuar temperatura të larta në të gjithë vendin, madje në hije është regjistruar 39 gradë. d.xh