E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kampioni i çiklizmit në pranga, bëri aksident

 

TIRANE- Ish-kampioni i çiklizmit, Agron Tafilica është arrestuar dje pas aksidentit me pasojë vdekjen e një personi, që ndodhi të dielën në rrugën e Durrësit në kryeqytet. Pas ekspertizës që është kryer në vendin e aksidentit, nga ekspertët e policisë rrugore dhe kriminalistë ka rezultuar se shkaktar i aksidentit ka qenë ish-çiklisti i Dinamos, Tafilica, i cili ka dalë me shpejtësi me motor nga rruga "Bogdani", që kryqëzohet me rrugën e Durrësit. Motori tip "Kinlon", me targa TR 328, të cilin e drejtonte Tafilica, është përplasur kokë më kokë me motorin tip "Yamaha" që drejtohej nga 22-vjeçari Shkëlqim Bomi. Si rezultat i përplasjes së fortë ka gjetur vdekjen e menjëhershme 22-vjeçari dhe është plagosur pasagjeri që ndodhej me të. Ndërkohë që 55-vjeçari Tafilica ka pësuar plagë të lehta. Ngjarja për të cilën është arrestuar si përgjegjës Tafilica ka ndodhur të dielën rreth orës 16:30 pranë Ministrisë së Mjedisit. Shkëlqim Bomi duke drejtuar një motor "Yamaha" të zi pa targa, është përplasur me motorin që dilte nga kryqëzimi duke u drejtuar nga Agron Tafilica, i cili është ish-kampion i çiklizmit. Përplasja ka qenë fatale për Shkëlqim Bomin, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Së bashku me Bomin në motor ishte dhe një pasagjer që ka pësuar dëmtime të lehta. Pritet që sot gjykata të caktojë masën e sigurisë për ish-çiklistin e "Dinamos", i cili në vitet '70 është shpallur 3 herë kampion. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›