E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kosova e Serbia të bashkëpunojnë, pavarësia e paprekur”

 

Aristir Lumezi

Diplomati i njohur Bashkim Zeneli, analizon përmes një gjykimi të ftohtë zhvillimet në shtetin e ri të Kosovës në 1-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ish-ambasadori shqiptar në Gjermani në vitet e luftës së NATO-s për çlirimin e Kosovës, Zeneli e cilëson pavarësinë një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por dhe për Shqipërinë. Diplomati ndalet dhe tek vizioni i ri me të cilën politika kosovare duhet të shohë zhvillimet demokratike në shtetin e ri, marrëdhëniet e saj me Serbinë, por dhe deklaratat e faktorit ndërkombëtar për një bashkëjetesë rajonale duke parë drejt familjes evropiane. 
Zoti Zeneli një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si një diplomat karriere, si gjykoni këtë arritje dhe sa ka përparuar ajo?
Natyrisht shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja më historike për Kosovën dhe popullin e saj, është një ngjarje unike. Ajo ishte po kaq historike për të gjithë shqiptarët. Ajo është një ngjarje që mbylli një kapitull të vjetër dhe i hapi rrugë një kapitulli evropian të zhvillimeve në Kosovë, është realizimi i një aspirate shekullore për pavarësi, për shtet të saj dhe është një ngjarje, që vetë historia më vonë do ta vlerësojë me të gjithë peshën e saj. Ajo që është mjaft e rëndësishme është se pavarësia e Kosovës ka krijuar dhe do të krijojë një stabilitet në rajon, një rajon që ka qenë dhe mbetet me probleme, por që ka një prirje evropiane dhe euroatlantike. Kështu që kjo datë e shënuar, mbetet për t’u përshëndetur dhe për të bërë bilancin njëvjeçar të arritjeve të Kosovës në rrugën e zhvillimeve demokratike, të konsolidimit të shtetit, ndërtimit të institucioneve. Një vit për një shtet janë fare pak. Por rëndësi ka që ky vit ka qenë i shëndetshëm. Kosova është ftuar dhe përfaqësuar me dinjitet në organizma ndërkombëtare. Në vend po krijohen përditë institucione demokratike, u miratua Kushtetuta dhe ndjenja e përgjegjësisë së klasës politike për ecurinë e vendit, meriton, në përgjithësi, vlerësim.  
Aktualisht kemi 55 vende që kanë njohur shtetin e ri të Kosovës, ndërkohë që janë 5 vende të BE-së që ende nuk e kanë njohur. Mendoni se është dashur një lobing apo diplomaci më intensive nga ana e shtetit të ri?
Natyrisht 55 vende që e kanë njohur, nuk janë as shumë dhe as pak. Mendoj se në radhë të parë ka rëndësi njohja, sepse u njoh nga SHBA, nga shumica dërrmuese e vendeve të BE-së dhe kjo është një nxitje për ta njohur edhe shtetet e tjera. Por njohja është një proces. Unë nuk e shoh me shqetësim pse janë 55 kur mund të ishin 75 vende. Natyrisht shtetet sot kanë politika e interesa të drejtpërdrejta, kanë dhe politika komunitare, sepse janë të organizuara në organizma të ndryshme ndërkombëtare si OSBE, KE, Konferencën Islamike, BE dhe shpeshherë dhe vendimet janë dhe komunitare për problemet nga më të ndryshmet. Përsa i takon 5 vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur, ato kanë shfaqur rezerva që lidhen dhe me interesat e tyre, por dhe me problemet etnike të tyre që shpeshherë mendojnë t’i quajnë si precedentë dhe natyrisht duke i veshur lëvozhgën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Por unë mendoj se shumë shpejt edhe këto vende do ta njohin Kosovë.
Si gjykoni Rezolutën e Parlamentit Evropian për Kosovën, bashkë me rezervat për faktorin politik kosovar?
Në esencë, kjo rezolutë ishte mjaft e rëndësishme, sepse bënte thirrje për vazhdimin e procesit të njohjes. Por rezoluta tërhiqte dhe vëmendjen për politikën kosovare. Ajo ndalej në nevojën e një lufte më të organizuar më të thelluar dhe më institucionale kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe këto janë elementë shumë të rëndësishëm. Krijimi i një shteti të ri demokratik që funksionon prej një viti, kërkon të ecë në shina të shëndosha për zhvillimet në vend, por është dhe një mesazh edhe për BE dhe komunitetin ndërkombëtar.
Ndërkohë, kemi dhe Planin 6 pikësh të zotit Ban Ki Mun. Mendoni se cenohet pavarësia e Kosovës dhe si po e menaxhon politika kosovare këtë plan?
Unë mendoj se plani 6 pikësh i Ban Ki Mun nuk cenon pavarësinë e Kosovës, nuk cenon të drejtën e njohjeve të mëtejshme si shtet, nuk cenon kushtetutën e Kosovës dhe si i tillë pavarësisht se udhëheqja politike në Kosovë ka pasur rezerva, në një farë mase edhe fare refraktare në fillim, mendoj se ajo ka filluar të reflektojë edhe me këto pika. Është dhënë garanci edhe nga BE dhe nga SHBA, por dhe nga vendet anëtare të NATO-s, se përderisa nuk cenohet pavarësia e shtetit të Kosovës, nuk ka përse të zmadhohen gjërat. Shteti i ri i Kosovës do të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar dhe nuk do bashkëpunojë ashtu si një vit kur nuk e kishte pavarësinë, do të bashkëpunojë me një frymë të re dhe koncept të ri, me konceptin e marrëdhënieve të shtetit të ri me organizmat ndërkombëtare. Në këtë drejtim, mendoj se duhet të jetë më e vëmendshme klasa politike, qeveria e Kosovës edhe ndaj rezervave që shfaqen nga komuniteti ndërkombëtar që janë vazhdimisht në të mirë të Kosovës. Duhet të jetë koperuese dhe bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë me SHBA, BE me fqinjët sigurisht, për të dhënë mesazhet e duhura se shteti i ri po ecën në rrugën evropiane, që nuk ka nxitje nacionaliste, që ka një tolerancë në respektimin e etnive dhe pakicave, në mënyrë të veçantë serbëve të Kosovës. Trajtimi i minoritetit serb mbi bazën e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, respektimi i tij, vëmendja ndaj tij, shmangia ndaj çdo provokacioni etj. janë detyra shumë të rëndësishme për Kosovën politike. Nuk duhet të përbëjë më lajm fakti se 5-6 serbë filluan punë në këtë apo atë strukturë. Ky duhet të jetë një proces shumë i natyrshëm. 
Shteti i ri i Kosovës tashmë është një realitet, ndërkohë që Serbia, me gjithë rezervat dhe kundërshtitë e saj për refuzimin e këtij shteti, është një shtet fqinj i Kosovës dhe Shqipërisë. Mendoni se duhet të ketë një vizion të ri për një bashkëjetesë rajonale mes të tre shteteve, Kosovë-Serbi-Shqipëri?
Natyrisht është absolutisht e domosdoshme bashkëjetesa e mirë midis fqinjëve, marrëdhëniet e gjithanshme. Fqinjët janë dhe të parët që duhet të ‘gëlltisin’ ndaj njëri-tjetrit. Serbia nuk e ka njohur dhe vazhdon të bëjë punën e saj. Njihen tashmë dhe apelimet e saj në Gjykatën Ndërkombëtare për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë etj. Unë do të mendoja se Serbia duhet të reflektojë që të mos punojë në dëm të Kosovës, si shtet i pavarur e demokratik, ashtu sikundër edhe Kosova të dijë të respektojë shtetin serb, të ketë marrëdhënie normale me të dhe gjithnjë mbi bazën e dialogut dhe uljes në tavolinë. Vetëm pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Ai kapitull tashmë është qartësisht i mbyllur. Për të tjerat, negocimi, bashkëpunimi i Kosovës me Serbinë është i domosdoshëm. Unë e gjykoj shuam të rëndësishëm këtë bashkëpunim, e gjykoj të domosdoshëm. Ka mjaft probleme teknike për të cilat duhet e mund të diskutohet. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, kjo nuk do të thotë që Kosova ta shohë Serbinë si në kohën e Milosheviçit. Beogradi tashmë udhëhiqet nga forca properëndimore dhe e ardhmja e tij do të jetë BE, megjithë provat konstante që duhet të japë përditë para BE-së. Serbia po punon dhe po lufton për integrimin në BE dhe kjo nuk është vetëm në interes të Serbisë, por dhe të Kosovës dhe rajonit më gjerë dhe të vetë BE-së. Unë nuk mund të them se BE po e merr me të mirë Serbinë, përkundrejt Kosovës. Absolutisht është një proces normal, Serbia ka të drejtën e saj të integrimit në Evropë, natyrisht duke dhënë prova për këtë integrim, dhe provat janë politike, janë prova të qartësisë së saj në këtë proces. Do të ishte shumë mirë për rajonin, për fqinjësinë e mirë mes vendeve të këtij rajoni me kaq ngarkesa dhe probleme të vjetra por dhe shpeshherë sherre të reja, që edhe Serbia të integrohej sa më parë në strukturat euroatlantike ashtu si gjithë rajoni. Përsa i takon marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë, unë mendoj se ato duhet të jenë shumë më të mira, pa paragjykime. Ka shumë vend për bashkëpunim, për të qenë fqinj të mirë.
Në këtë kontekst si e shikoni faktorin politik në Kosovë drejt këtij vizioni?
Unë mendoj se gjatë këtij viti faktori politik në Kosovë ka dhënë prova serioze të nevojës për të ecur në rrugë demokratike, në frymën evropiane, euroatlantike. Natyrisht që një vit është pak, por mesazhi i dhënë gjatë këtij viti ka qenë i shëndoshë, i qartë. Ka dhe probleme të veçanta që forcat politike, në Kosovë duhet ti gjykojnë më me mirëkuptim dhe dialog në tavolinë. Ka shpeshherë prirje për të kundërshtuar njëri-tjetrin, për të atakuar vend e pa vend, ka prirje nacionaliste dhe shpeshherë dhe ekstremiste që i shikojmë jo rrallë, ka prirje të qeverisë për të mos pranuar përgjegjësi për kritikat e opozitës. Dhe siç e thashë dhe më lart, veçanërisht një konceptim tërësisht e thellësisht evropian kërkon bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Nuk ka vend as për delire politike, as për naivitet politik e jo më tepër për llastim politik.
Në syrin e një diplomati, kontributi i Shqipërisë në arritjen e kësaj pavarësie ka qenë i mjaftueshëm, apo mund të bënte dhe më shumë?  
Unë mendoj se në këto 17-18 vitet e demokracisë, Shqipëria politike, cilado qoftë qeveri që ka qenë ka ndryshuar. Natyrisht siç është folur para 15 vjetësh nuk flitet sot. Deri para 6-7 vjetësh më parë vendet kryesore Perëndimore, duke përfshirë dhe Gjermaninë, ku unë kam shërbyer dhe kam bërë detyrën ndaj Kosovës dhe popullit kosovar, absolutisht nuk diskutonin për pavarësi, por kishin gjetur disa formulime të ndryshme, qoftë institucionale apo politike. Por terma pavarësi ka qenë tabu deri para disa vitesh. Në këtë këndvështrim merr një vlerë shumë më të madhe shpallja e pavarësisë, por dhe përgjegjësia e klasës politike në Kosovë për ndërtimin e një shteti vërtet demokratik me institucione të shëndosha demokratike. Unë mendoj se politika dhe diplomacia shqiptare ka qenë konsekuente për të përballuar sfidat në Kosovë, ka bërë një politikë të qartë dhe komunitare me faktorin ndërkombëtar gjatë këtyre viteve dhe po e bën edhe sot. Natyrisht bashkëpunimi sot i Shqipërisë me Kosovën duhet të jetë shumë më i gjerë në çdo aspekt e në çdo fushë, ndryshe nga një bashkëpunim midis dy shtetesh normalisht.

Topi e Berisha mesazh homologëve kosovarë
Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha u kanë dërguar nga një mesazh urimi homologëve të tyre kosovarë, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi. Në mesazh Tirana zyrtare uron Kosovën në vitin e parë si shtet i pavarur, duke vënë theksin tek angazhimi i Prishtinës për të ndërtuar shtetin e së drejtës.

Basha në Arabi: Mbështetje Kosovës

TIRANE

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, merr mbështetjen e Arabisë Saudite për Kosovën. Kreu i diplomacisë shqiptare ka zhvilluar një vizitë në vendin arab, ku ndër të tjera është takuar në selinë e Organizatës së Konferencës Islamike në Xhedah, me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj organizate, Ekmeledin Ihsanoglu. “Gjatë takimit ministri Basha theksoi rëndësinë që i jep Shqipëria marrëdhënieve me këtë organizatë. Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit, me qëllim nxitjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga anëtarët e OKI-t”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme. Gjithashtu ministri Basha ka biseduar për çështjen e Kosovës edhe me homologun e tij, Princin Saud Al Faisal Bin Abdulaziz Al-Saud. Ministri Basha e informoi ministrin saudit mbi zhvillimet rajonale, duke u ndalur në një analizë të hollësishme të zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe në Ballkan, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar. Në këtë kuadër, ministri Basha vlerësoi si shumë të rëndësishëm rolin e Arabisë Saudite në raport me vendet arabe si dhe OKI-n. Gjithashtu gjatë takimeve me krerët e lartë të Arabisë Saudite, ministri Basha bisedoi për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Basha zhvilloi takime me një sërë institucionesh ekonomike si Korporata Saudite e industrisë bazë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Riadit etj., ku vuri theksin klima e favorshme ndaj biznesit dhe lehtësirat që qeveria shqiptare ka krijuar për investitorët vendas dhe të huaj. Ai ftoi biznesmenët sauditë që të jenë më aktivë në tregun dhe ekonominë shqiptare. Kreu i diplomacisë shqiptare zhvilloi një takim në selinë e Bankës Islamike për Zhvillim me Presidentin e kësaj Banke, Ahmed Muhamed Ali. “Ministri Basha theksoi kërkesën që kjo bankë të vazhdojë të jetë e pranishme në Shqipëri për financimin e projekteve në fushat e infrastrukturës, shëndetësisë, zhvillimit rural etj”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Kosova pret njëvjetorin e Pavarësisë me flamuj e festë

Kosova feston sot përvjetorin e parë të shpalljes Republikë me një organizim të premtuar si dinjitoz dhe të paharruar për qytetarët, në përkujtim të ngjarjes më të rëndësishme për këtë vend ndër shekuj. 150 mijë euro nga buxheti i Kosovës i janë dedikuar këtij evenimenti me moton “Ecja në pavarësi”. Një program special është hartuar për festimin e Ditës së Pavarësisë nga Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës, që nis me një mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës në orën 11:00. Kuvendit dhe qytetarëve do t’i drejtohet presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari i vendit. Në mesditë nis “Ecja në pavarësi”, një marsh i shoqëruar me koncerte e festime për qytetarët dhe studentët. Ndërsa orët e pasdites i janë rezervuar një koncerti të Filarmonisë së Kosovës dhe më pas mbrëmje do të organizohet një koncert madhështor në Prishtinë, i shoqëruar me koncerte ‘binjake’ në qytete të tjera të Kosovës. Në orën 22.00 do të shpërthejnë fishekzjarrët në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës.

“Si bindëm inspektorin e Nju Jorkut për të bërë mitingun për Kosovën”

Plot një vit më parë shqiptarët në të  gjithë botën festuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës, një ngjarje që jehoi fort edhe larg në Nju Jork. Ishin rreth 4 mijë shqiptarë në Nju Jorkut të cilët dolën në sheshe dhe festuan me flamuj dhe brohoritje shpalljen e shumëpritur të pavarësisë nga Serbia, e cila u përjetua, siç kanë rrëfyer edhe shumë prej tyre, me gëzim dhe me lot. Organizimi për të cilin shqiptarët e Nju Jorkut u njoftuan me mesazhe në celular vetëmmnjë ditë mëparë, nuk kishte lënë kohë për t’i ofruar atyre mundësi për një organizmi ‘perfekt’, sicc do të kishin dëshiruar. Megjitahtë, falë njohjeve të tyre, gjërat nuk shkruan keq. Një nga shqiptarët me biznes në Nju Jork, Ilir Rizaj tregon për “Panorama” se si ai dhe miqtë e tij mundësuan organizmin e mitingut, i cili duhej të ishte njoftuar një ditë më parë në inspektoratin e Nju Jorkut që të merrte lejen e posaçme. “Së bashku me Asdren Kyqykaliun unë jam partner dhe menaxher i restorantit ‘Tony’s Di Napoli’ në qendër të Nju Jorkut, në Times Square”, nis kështu rrëfimin Iliri. “Të shtunën, më 16 Shkurt të vitit të kaluar (një dite para se të shpallej pavarësia e Kosovës), të gjithë ne shqiptarët e Nju Jorkut morëm mesazhe tekst në  celular, ku lajmëroheshim se te nesërmen do të mblidhej i tërë komuniteti i NY në Times Square për të festuar shpalljen e pavarësisë”, tregon Rizaj. Sipas rregullave, për çdo tubim duhej një leje e posaçme nga autoritetet, gjë për të cilën Rizaj mendoi se askush nuk do të kishte pasur kohë ta bënte një gjë të tillë. Kjo vinte në rrezik organizmin pa probleme të festimeve të shqiptarëve. “Më shkoi mendja lidhur me çështjen e organizimit si dhe te marrjes së lejes për një ngjarje të tillë. Pyeta disa persona, lider të komunitetit, se a ishte ndonjëra nga organizatat duke u marrë me tubimin. Përgjigja ishte jo. Pra kjo ishte një festë spontane. Na ra ndër mend të pyesnim detektivin si dhe Inspektorin e Stacionit policor që mbulon qendrën e NY, se mos dikush i kishte lajmëruar për këtë tubim. Por në stacionin “Midtoën South”, ku punonte detektivi Adam D’Amico e inspektori James McCarthy askush nuk kishte lajmëruar për mitingun, duke rrezikuar kështu organizmin”, tregon për “Panorama” Rizaj. Falë miqësisë së tij dhe z. Kyqykaliu me dy oficerët që i kishin klientë të shpçeshtë në restorantin e tyre, ata siguruan organizmin e tubimit. “Të nesërmen çdo gjë shkoi për mrekulli dhe pa asnjë problem. Ishin rreth 4 000 pjesëmarrës. Nuk e di se sa police ishin të pranishëm, por që të gjithë ishin për të na mbështetur. Kështu 17 shkurti jehoi pavarësinë edhe për shqiptarët në Nju Jork.   
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›