E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-koloneli: Luan Hoxha u informua për Gërdecin



Ish-komandanti i Brigadës së Logjistike të Forcës së Bashkuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në periudhën mars 2007-prill 2008, tregoi në seancën e djeshme të çështjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës si kishte takuar në repartin ushtarak të Qafë-Mollës, Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin, aktualisht të pandehur në proces. Në dëshminë e tij, Kadri Suli pohoi se kishte udhëtuar në Qafë-Mollë për verifikimin e disa problemeve në lidhje me transportin e municioneve. Gjithashtu dëshmitari pohoi dje në gjykatë se, nga ana e Komandës së Bashkuar nuk i është ofruar ndonjë grafik i veçantë për dorëzimin e municionit në Gërdec. Po sipas dëshmitarit, i pandehuri Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, kishte dijeni mbi fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, ndryshe nga sa është deklaruar nga gjenerali. Në seancën e djeshme gjykata rrëzoi kërkesën e të pandehurit Ndue Marku, ish-drejtor për harmonizimin e legjislacionit me Kuvendin në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili kërkoi pezullimin e çështjes ndaj tij dhe dërgimin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të nenit 248 të Kodit Penal. I pandehuri Ndue Marku pretendon se neni 248, për të cilin ai akuzohet, është antikushtetues. Ndërsa i pandehuri Sokol Gjeci deklaroi dje nga qelia e sallës së gjyqit se “grafiku i sasive ditore që shkonte në Gërdec për të dy projektet përgatitej sipas ligjit nga specialistët ushtarakë mes dy palëve, zyrës së marketingut të MEICO-s dhe Komandës mbështetëse të logjistikës”. Në seancën e djeshme janë dëgjuar edhe dëshmitarët Leka Lalaj dhe Ajet Methoxha.
Dëshmia e
Kadri Sulit
Gjatë dëshmisë së tij para togave të zeza të gjykatës, Kadri Suli tregoi “problemet” e hasura gjatë transportit të municioneve. “Ka pasur një rast të kthimit të municioneve nga MEICO, pasi ne kishim vështirësi për t’i dalluar municionet, llojin e tyre, sasinë dhe kalibrin. Për këtë fakt u ngritën edhe dy grupe pune me urdhër të veçantë. Ka pasur një rast që u bllokua një sasi municioni për arsye verifikimi dhe ekspertimi. E njoh Ylli Pinarin dhe kam punuar me të. Me Mihal Delijorgjin jam njohur nga Pinari. Kam pasur një telefonatë nga Zija Bahja. Më tha që kemi pak municione në Gërdec dhe ngriti shqetësimin se ka magazinierë të objektit ushtarak të Qafë-Mollës që nuk tregojnë sasinë e municioneve”, tha dëshmitari. Sipas tij, për problematika në lidhje me sistemimin e municioneve në depo në Gërdec është vënë në dijeni edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe kreu i tij, Luan Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›