E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Vorë i kërkuari për trafik droge në Itali



TIRANE - Një shqiptar i shumëkërkuar në Itali për trafik droge u arrestua mbrëmjen e djeshme nga oficerët e Policisë së Tiranës në zbatim të dënimit të dhënë ndaj tij në Itali. Ylli Toska, i njohur edhe me emrin Arben Toska, 41 vjeç, që prej vitit 2003 ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, pasi akuzohej se kishte trafikuar heroinë, e më pas e ka transportuar në provincën Spinacola për ta hedhur në treg nga persona të tjerë. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se Ylli Toska u arrestua në banesën e tij në Vorë të Tiranës dhe menjëherë pas arrestimit u njoftuan autoritetet italiane. Sipas të dhënave që policia shqiptare disponon për të arrestuarin, ai rezulton të jetë i dënuar me 10 vjet e gjashtë muaj burg, vendim i formës së prerë që është dhënë në mungesë për të nga Gjykata Penale e Tranit, Itali. Ylli (Arben) Toska akuzohet se ka transportuar 22 kilogramë heroinë në Spinacola të Italisë, më 30 maj të vitit 2003. Policia tha se i arrestuari është personazh jo pak i njohur edhe nga drejtësia shqiptare. Sipas të dhënave të policisë, në vitin 2002, ai bashkë me dy persona të tjerë kanë plagosur një 22-vjeçar në rrugën “Margarita Tutulani”, në Tiranë, por asnjëherë nuk u ndalua nga policia për këtë ngjarje, edhe pse ishte identifikuar si i dyshuar në këtë krim. Pas kësaj ngjarjeje dyshohet se i kërkuari është larguar në drejtim të Italisë, duke krijuar në këtë mënyrë rrjetin e tij të drogës, të cilin e ka furnizuar me lëndë narkotike. Të paktën një rast, në maj 2003, hetuesit italianë kanë dokumentuar trafikun, ndërsa gjykata e ka dënuar të kërkuarin në mungesë me 10 vjet e 6 muaj heqje lirie. Pritet që autoritetet italiane të nisin procedurat e ekstradimit për 41-vjeçarin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›