Mbyten në liqen dy peshkatarë
SHKODER - Dalin për peshkim, mbyten në liqenin e Shkodrës dy peshkatarë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur Gjovalin Smajli, 40 vjeç dhe Nikolin Shabi, 18 vjeç, që të dy nga fshati Hot i komunës Kastrat në Malësinë e Madhe janë mbytur në liqen. Pas disa orë kërkimesh nga polumbarët e Malit të Zi është bërë e mundur edhe gjetja e trupave të tyre, rreth 50 metra larg bregut. Sipas dëshmisë së familjarëve të viktimave, ata kishin disa vite që merreshin me peshkim si mundësia e vetme për të fituar bukën e gojës. Era e fortë dhe ndryshimi i menjëhershëm i kahut të saj, dyshohet të ketë qenë shkaku i përmbysjes së varkës me të cilën ata po lëviznin. Viktimat kanë tentuar të shpëtojnë njëri–tjetrin, por nuk kanë mundur të dalin në breg. Me ngjarjen e djeshme, numri i peshkatarëve të mbytur në liqenin e Shkodrës që nga fillimi i vitit arrin katër. Në muajin shkurt, në ujërat e liqenit të Shkodrës gjetën vdekjen edhe dy peshkatarë të tjerë, kushërinjtë Agim Kurti 45 vjeç dhe Kujtim Kurti 39 vjeç. r.d