E Diel, 1 Nëntor 2026

Qante, nëna “monstër” mbyt fëmijën



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Nëna mbyt me duar fëmijën 18 muajsh vetëm sepse nuk po pushonte së qari. Ngjarja e pazakontë ndodhi dje në fshatin Zëmblak të Korçës. Sonila Hoxholli (Lumi), 23 vjeçe, dyshohet të ketë keqtrajtuar djalin e saj Kristiano Hoxhalli, deri në atë masë sa i shkaktoi atij vdekjen. Foshnja kishte shenja të dukshme në fytyrë dhe në qafë, çka sipas policisë hedh dyshimet se është dhunuar e më pas mbytur. Nëna “monstër” është arrestuar me akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese. Bashkëshorti i saj 27-vjeçar ia drejtori asaj gishtin për fajësinë e kësaj tragjedie në familje. Eduard Hoxhalli, bari në këtë fshat, e ka gjetur fëmijën e tij të keqtrajtuar dhe në tentativë për t’i shpëtuar jetën e nisi në spitalin e Korçës. Por mjekët konstatuan se fëmija kishte vdekur. Duke parë shenjat e dhunës, personeli mjekësor sinjalizoi policinë, ndërsa pak minuta më pas edhe 27-vjeçari akuzoi të shoqen për vdekjen e djalit të tij të vetëm. Gruaja e re u ndalua në spital dhe është marrë në pyetje në praninë e një psikologu.
Policia bëri të ditur se Sonila, e cila jetonte me bashkëshortin e saj, Eduard Hoxhalli, ka qenë e vetme në shtëpi me djalin. Hetimet konkluduan se i shoqi nuk ka qenë i pranishëm kur ndodhi vrasja e fëmijës së tij. Ndërsa e akuzuara nuk flet mbi ngjarjen, policia ka ndërtuar skemën e krimit. Sipas saj, në ato momente djali 1 vjeç e afro 6 muaj po qante dhe e ëma e tij, e cila nuk po e qetësonte dot, ka filluar ta godasë me grushte. Policia tha se fëmija i vdekur ka shenja të goditjeve në fytyrë dhe në gjoks, ndërsa në fyt shenja që lënë të dyshohet se është mbytur me duar. Edhe pse i ka marrë jetën foshnjës së saj, 23-vjeçarja nuk i ka pohuar burrit të saj se kishte ushtruar dhunë ndaj tij. Sipas policisë, të dy prindërit, rreth orës 13:00 e kanë çuar fëmijën në spitalin e Korçës, edhe pse të pajetë. Pasi ka mbaruar këto veprime të pashpresa dhe kur mjekët i kanë pohuar se foshnja kishte humbur jetën dhe nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar, Eduard Hoxhalli i është drejtuar policisë, duke deponuar se e kishte mbytur me duar gruaja e tij. Policia tha se nëna e fëmijës nuk ka pranuar asgjë nga ngjarja e ndodhur. Por konstatimi në shenjat në fytin e fëmijës dhe në fytyrë kanë hedhur dyshime të forta se autore e kësaj vrasjeje ishte pikërisht nëna. Pas këtij dyshimi, policia kreu menjëherë arrestimin e gruas, e cila ndonëse në prani të një psikologu, deri në mbrëmje nuk pranoi të flasë mbi atë që kishte ndodhur në banesën e saj. Policia do të kryejë ekspertimet me shenjat e gishtërinjve të lëna mbi fytin e fëmijës për të provuar autorësinë e mbytjes së tij.

Precedenti në Greqi

Një ngjarje e rëndë ndodhi më 19 maj në Selanik të Greqisë. Gruaja shqiptare, M.Vincani, 44 vjeçe, vrau fëmijën dhe më pas i dha fund edhe jetës së saj. Gruaja banonte në rrugën “Kofitsa” në zonën e “Agjiu Dhimitriu”. Sipas të dhënave hetimore, 44- vjeçarja kishte mbytur fëmijën e saj 7 vjeç me një kravatë, kur djali kishte ardhur nga shkolla. Pas kësaj është vetëvrarë me thikë. Bashkëshorti i saj bashkë me djalin tjetër 20-vjeçar kanë zbuluar edhe tragjedinë në familje, kur kanë shkuar në banesë. Dyshohet se viktima vuante nga problemet mendore.

Gruaja nga Vidohova, jo me probleme mendore
Nga hetimet e policisë, dëshmisë së burrit si dhe të banorëve të Zëmblakut, 23-vjeçarja Sonila Hoxhalli nuk ka shfaqur më parë probleme mendore. Vrasjen e fëmijës dyshohet ta ketë kryer nga një tronditje e çastit. Sipas policisë, 23-vjeçarja e ka origjinën nga Vidohova i Devollit, fshat në të cilin vitet e fundit janë shënuar disa ngjarje tragjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›