E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrent në vaskë, inxhinieri gjendet i vdekur në shtëpi



Etleva Delia

Një 35-vjeçar me profesion inxhinier elektrik u vetëvra dje në vaskën e banesës së tij, të cilën e mbushi me ujë dhe e vendosi në kontakt me rrymën elektrike. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:45 në apartamentin e 35-vjeçarit Arjan Kadare, pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë, ku banonte viktima. Policia tha se Arjan Kadare, me profesion inxhinier elektrik, u gjet i vdekur nga një mik i tij, i cili kishte shkuar në shtëpinë e viktimës për ta takuar atë. Sapo ka parë trupin e pa jetë në vaskën e tualetit, miku i 35-vjeçarit ka lajmëruar në sallën operative të policisë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë nga Komisariati nr.1 dhe oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, trupi i pajetë i inxhinierit Arjan Kadare, u transportua në Morgun e Tiranës, ndërsa paraprakisht policia e klasifikon ngjarjen si vetëvrasje në kushtet e depresionit mendor. Familjarët e viktimës, të lajmëruar për ngjarjen nga policia, dyshojnë se ajo çfarë i ka ndodhur 35-vjeçarit mund të jetë aksidentale, duke përjashtuar kështu pistën e vetëvrasjes së qëllimshme. Sipas familjarëve të 35-vjeçarit Arjan Kadare, ai nuk kishte tentuar asnjëherë tjetër më parë të kryente vetëvrasje, edhe pse kishte kaluar disa fatkeqësi dhe së fundmi ishte divorcuar edhe nga bashkëshortja, e cila kishte fituar edhe kujdestarinë e fëmijëve, duke i mbajtur ata të veçuar nga inxhinieri. Sipas të afërmve, në diskutimet familjare kohët e fundit, inxhinieri nuk kishte lënë në asnjë rast dyshime për një veprim vetëvrasës, edhe pse kishte disa kohë që kishte mbetur i papunë. Ndërkohë sipas hetuesve, viktima ishte i sëmurë depresiv dhe këtë fakt e dinin edhe fqinjët, miqtë dhe familjarët e tij. Depresioni është rënduar më tepër, pas disa fatkeqësive të njëpasnjëshme që i kishin ndodhur 35-vjeçarit, përfshi vdekjen e dy pjesëtareve të familjes, divorci nga bashkëshortja, e cila fitoi edhe kujdestarinë e fëmijëve dhe së fundmi edhe papunësia. Sipas hetuesve, viktima për shumë vite kishte punuar si teknik televizorësh, por kohët e fundit kishte mbetur pa punë. Sipas grupit hetimor, këto dyshohet të jenë disa nga arsyet që i kanë shkaktuar depresion Arjan Kadaresë, i cili dje dyshohet se ka vendosur të kryejë vetëvrasje, duke mbushur vaskën me ujë dhe duke e vendosur atë në kontakt me një kabëll elektrik. Në apartamentin ku u gjet i vdekur nga miku i tij, inxhinieri jetonte vetëm që pas divorcit nga gruaja. Dje para ngjarjes, 35-vjeçari kishte lënë të hapura të gjitha dyert e banesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›