Prag provimesh për 30 mijë maturantë
Dje rreth 30 mijë maturantë mbyllën zyrtarisht vitin shkollor. Ata duhet të japin në vijim provimet e Maturës Shtetërore. Nga e hëna do të nisin konsultimet në shkolla për provimin e parë të detyrueshëm. Testit të Letërsisë, maturantët do t’i nënshtrohen më 1 qershor. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit, mësuesit duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë konsultimeve në mënyrë që t’u japin përgjigje të gjitha paqartësive që kanë maturantët. Javën e ardhshme pritet të ngujohen pranë Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve edhe specialistët që do të merren me hartimin e tezës së provimit. Nga një fond prej 1500 pyetjesh, ata do të zgjedhin testin final. Specialistët e AVA do të detyrohen të jenë të ngujuar deri në mëngjesin e 1 qershorit kur testet të jenë shumëfishuar dhe shpërndarë nëpër shkolla. Kjo masë merret për të shmangur abuzimet apo ndonjë shitje të mundshme të tezave.