E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon tragjikisht festa e maturës, vdes gjimnazisti



BURREL/GJIROKASTER – Dy aksidente të ndodhur dje në Gjirokastër e Burrel u morën jetën 2 të rinjve. Një prej tyre, maturant i shkollës së mesme të Matit “28 Nëntori” gjeti vdekjen ndërsa festonte me shokët fundin e maturës. Policia lokale pohoi se ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13:30, në vendin e quajtur “Fusha e Suçit”, teksa nxënësi i vitit të katërt C, E. Kurti po udhëtonte nga qyteti i Burrelit në drejtim të Klosit. Fillimisht, maturantët kanë festuar para shkollës dhe më pas, me mjete të ndryshme janë nisur në drejtim të Klosit, për të vazhduar festimet. Nxënësit udhëtonin me furgonë dhe mjete të tjera. Kurti me një shoqen e tij udhëtonin me një “Benz”. Efektivë të policisë rrugore thanë se ai ka tentuar t’u shmanget gropave në rrugë dhe kjo ka sjellë devijimin e mjetit, duke u rrokullisur disa herë në anë të rrugës. Shoferë që kanë parë ngjarjen e rëndë kanë transportuar gjimnazistët drejt spitalit Burrel. Mjekët kirurgë kanë konstatuar se Kurti kishte pësuar dëmtime serioze në kokë dhe në trup, çka solli humbjen e jetës së tij. Ndërkaq, gjimnazistja L.A. është dërguar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak, pasi kishte dëmtuar rëndë njërën këmbë. Pak orë më parë, në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavije, vdiq në aksident 23-vjeçari nga fshati Lazarat, Arbër Kasma. Sipas policisë, i riu ishte në timonin e një makine “Wolksvagen”, kur në afërsi të fshatit Sofratikë, makina e tij doli nga rruga. Automjeti me targë GJ 0100 B, në sheshndalimin në mes të rrugës pësoi një rrotullim të befasishëm, bëri disa salto, për të përfunduar jashtë saj. Dëshmitarët shkuan menjëherë në vendin e aksidentit, duke arritur të nxjerrin prej makinës të riun e gjakosur. Për shkak të plagëve të marra nga përplasja, mjekët konfirmuan vdekjen e tij menjëherë pas aksidentit. Grupi hetimor ka konstatuar paraprakisht se shkaku i daljes nga rruga ishte lagështira dhe shpejtësia. h.p/p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›