E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish krerët e CIA-s letër Obamës: Të ndalohen hetimet ndaj CIA-s

Shtatë ish-drejtorë të CIA-s i kanë kërkuar presidentit amerikan Obama të ndalojë hetimet kriminale për të zbuluar nëse ka pasur abuzime me metodat e përdorura nga punonjës të CIA-s në proceset hetimore gjatë administratës së ish-presidentit Bush. Ish- drejtorët e CIA-s, të cilët kanë shërbyer si gjatë administratave demokrate dhe atyre republikane, e paraqitën kërkesën e tyre me shkrim në një letër të dërguar Shtëpisë së Bardhë. Në letrën e tyre, ata paralajmëruan se këto hetime, mund të mos inkurajojnë punonjës të tjerë të CIA-s që të marrin vendime të guximshme për të mbrojtur vendin, apo mund të shkaktojnë ndrojtjen e qeverive të huaja për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder caktoi muajin e kaluar prokurorin John Durham për të drejtuar hetimet, që do të përcaktojnë nëse ka pasur apo jo abuzime nga personeli i CIA-s gjatë proceseve hetimore me të dyshuarit për akte terroriste.
Zëdhënësi i Holderit, Mark Miler, tha se vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm për të zhvilluar hetimin paraprak mbi këtë çështje ishte i bazuar mbi detyrimin e tij për të shqyrtuar faktet dhe për të zbatuar ligjin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›