E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kreu i PS-së tregon takimet me Kristopullin

 

TIRANE - Ish-kreu i Partisë Socialiste të Sarandës në vitin 1995, Astrit Llanaj, ishte ndër të parët njerëz që ka folur me Ziso Kristopullin pas "lirimit" të tij nga agjentët e shërbimit sekret. Në seancën e djeshme në ngarkim të 4 ish-sekretëve, Llanaj rrëfeu takimin e tij me Kristopullin. Sipas Llanajt, gjatë këtij takimi Kristopulli i kishte treguar për torturat që kishte pësuar dhe se ishte detyruar të firmoste një deklaratë, ku pranonte se kryente trafik armësh në Serbi. Ish-kryesocialisti i Sarandës tha dje se njohja e tij me Kristopullin ishte e hershme, por më e theksuar kishte qenë në periudhën që Kristopulli ishte kryetar i PS-së për Ksamilin. "Në tetor të 1995, Kristopulli më kishte thënë disa herë që në Ksamil kishte ngacmime dhe presione nga disa njerëz të SHIK-ut", tha Llanaj. Në vijim të dëshmisë, Llanaj u shpreh se kur kishte marrë vesh rrëmbimin e Ziso Kristopullit, kishte rendur në zyrën e tij dhe ishte përpjekur të siguronte informacion. Ndërsa teksa ka dalë jashtë godinës ai ishte përballur me kryetarin e SHIK-ut Sarandë. Sipas dëshmitarit, pasi e kishte pyetur rreth ngjarjes, kreu i SHIK-ut i kishte thënë që nuk dinte gjë dhe se as nuk e njihte Ziso Kristopullin. "Ai më tha 'nuk më kujtohet', por mua m'u duk sikur fshehu diçka", u shpreh dje Llanaj. Pasi Ziso ishte kthyer në Sarandë, Llanaj i kishte shkuar në shtëpi. "Ishte shumë i trembur dhe me zor filloi të fliste. Na tregoi shenjat që i kishin mbetur nga rrahjet. Na tha që kishte firmosur një deklaratë, ku pranonte se kryente trafik armësh drejt Serbisë. Kur e pyetëm se përse kishte pranuar një gjë që nuk e kishte bërë, na tha që 'kishte dy rrugë; vdekje ose firmë'", rrëfeu dëshmitari. Sipas tij, Kristopullit i ishin kërkuar edhe disa herë takime nga funksionarë të SHIK-ut, takime që nuk ishin realizuar dhe pastaj ai nuk ishte "bezdisur" më.           ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›