"Loshaj dëgjoi britmat e Remzi Hoxhës te SHIK-u"
Armand Bajrami
Një prej miqve të Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro-maqedonas të torturuar dhe zhdukur 14 vjet më parë, dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda.Shqiptari nga Kosova, Basri Zyko, ish-kreu i Sindikatës së Zejtarëve në Prishtinë, tregoi para gjykatës njohjen e tij me Remzi Hoxhën dhe takimin me Avdyl Loshajn, pasi ky i fundit ishte marrë dhe torturuar nga punonjës të SHIK-ut në të njëjtën kohë kur u zhduk edhe Remzi Hoxha. Sipas dëshmitarit Zyko, gjatë takimit që ka pasur me Avdyl Loshajn, ky i fundit i ka treguar se kishte dëgjuar britmat e Remzi Hoxhës gjatë kohës që ata mbaheshin të rrëmbyer nga SHIK-u. Gjithashtu Loshaj i ka treguar dëshmitarit për torturat çnjerëzore fizike dhe psikologjike që atij i kishin bërë, duke e çuar pranë një varri të hapur si dhe duke i shkrepur një armë të pambushur në gojë. Ndër të tjera, dëshmitari Zuko tha se njohja e tij me Remzi Hoxhën ishte që prej vitit 1990. Dëshmitari tregoi se ishte në dijeni të disa rasteve kur Remzi Hoxha ishte thirrur nga organet shtetërore serbe, prej së cilëve edhe kishte marrë kërcënime të shumta si pasojë e veprimtarisë së tij antiserbe në Kosovë.
Pyetjes së prokurorit të çështjes për njohjen me Avdyl Loshajn, Zyko iu përgjigj se kishte qenë Loshaj ai që kishte kërkuar takim. "Avdyl Loshajn e kam takuar për herë të parë në janar të vitit 1997 në Prishtinë. Për këtë më ka njoftuar familja e Remziut, një prej vëllezërve të tij, më duket se Ethemi. Loshaj ishte paraqitur tek redaksia e gazetës "Zëri", që kishte shkruar për zhdukjen e Remziut në atë kohë. Punonjësit e redaksisë e kishin drejtuar tek Ethemi dhe ky e kishte drejtuar tek unë", tha dëshmitari Zyko. Sipas tij, takimi është kryer në zyrat e Partisë Unikombi në Prishtinë, në praninë e dy personave të tjerë, Afrim Marina dhe Nuri Paçorizi. "Arsyeja e takimit ishte t'i vërtetonte familjes shkrimet që kishin parë në lidhje me Remziun. Ka qenë i interesuar që unë të kontaktoj me familjen dhe t'i njoftoj në lidhje me Remziun", u shpreh dëshmitari para Krimeve të Rënda. Sipas Zykos, meqë ishte hera e parë që takonte Avdyl Loshajn, ai ka mbajtur shënim gjithë çka i ka thënë gjatë takimit, materiale të cilat i ka dorëzuar më pas në prokurori. "Tema e diskutimit ishte rreth zhdukjes së Remziut. Loshaj përmendi disa emra të tjerë dhe Remziun. Tha se kishte dëgjuar britmat e Remziut. Nuk më kujtohet se si quhej vendi ku i kishin çuar. Nga emrat e tjerë që përmendi ishin Uk Hoxhaj, Ali Aliu e disa të tjerë", tha Zyko. Para gjykatës Zyko deklaroi dje se Loshaj i kishte treguar edhe për torturat që kishte pësuar vetë. "Rreth vetes ai po theksonte se ishte torturuar. Në një rast e kishin mbështjellë me një çarçaf të bardhë dhe e kishin çuar buzë një grope të hapur. Gjithashtu i kishin shkrepur një pistoletë të pambushur me plumba në gojë", rrëfeu Zyko. Sipas tij, Loshaj nuk e dinte se cilët ishin personat që i kishin rrëmbyer, ndërsa mbante mend vetëm se njëri prej tyre ishte tullac. Duke iu referuar bisedës së bërë 12 vjet më parë, Zyko citoi Loshajn dje se personat që e kishin rrëmbyer u kishin thënë se këta kishin tentuar të vrisnin Agron Musarain. Në seancën e djeshme dëshmuan edhe tre persona të tjerë, Astrit Llanaj, ish-kreu i Partisë Socialiste së Sarandës dhe Prenç Xhoxhi e Anesti Semini, ish-punonjës të shërbimit informativ. Katër të pandehurit e kësaj çështjeje, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen nga Prokuroria se në tetor të vitit 1995 kanë rrëmbyer dhe zhdukur Remzi Hoxhën si edhe rrëmbyer dhe torturuar Ziso Kristopullin e Avdyl Loshajn.