Afera me lejet e tritolit, në gjyq Shkëlzen Madani
TIRANE - Prokuroria përfundoi dje hetimet ndaj ish-zyrtarit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, ndërsa dosja penale ndaj tij pritet të dorëzohet sot në gjykatën e kryeqytetit. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se Njësia Task-Force Antikorrupsion përfundoi hetimin e dosjes për korrupsionin me licencat e lëndëve plasëse, duke vendosur nën akuzë tri persona. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se ish-kryetari i Komisionit të Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil, Shkëlzen Madani, është dërguar i pandehur në gjyq për akuzën "korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare (diplomën e pretenduar nga Universiteti Bujqësor i Kamzës). I pandehuri i dytë është shtetasja Aurela Cota, e cila është akuzuar për moskallëzim krimi dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm, ndërsa i treti në dosje është Ferdinand Hodo, i pandehur për "korrupsion aktiv" dhe "ndikim të ushtrimit të paligjshëm". Prokuroria tha se në përfundim të hetimeve ka vendosur të pushojë akuzën ndaj ushtarakut Kadri Sula, pasi nuk rezultonin prova për implikimin e tij. "Objekt i hetimeve kanë qenë parregullsitë e konstatuara në prodhimin, administrimin dhe kontrollin e lëndëve plasëse që përdoren nga shoqëritë operuese në ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, segmenti Rrëshen-Thirrë si dhe mënyra e pajisjes së tyre me lejet përkatëse nga Komisioni i Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil, në Ministrinë e Mbrojtjes", tha Prokuroria. Sipas saj, ka rezultuar se një nga përfaqësueset e shoqërisë "Nitromak Albania" sh.p.k., konkretisht Aurela Çota, për të marrë lejen e prodhimit e lëndëve plasëse ka hyrë në veprimtari korruptive me kryetarin e Komisionit të Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil, në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani. Shoqëria "Nitromak Albania" sh.p.k, me pronar shtetasin turk Nihat Sobaçi, ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes zgjatjen e afatit të kontratave të qirasë së depove në Borizanë-Krujë, lejet e importit të lëndëve plasëse për vitin 2008, si dhe zgjatjen e afatit të kontratës me Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekes - Elbasan, për blerjen e lëndëve plasëse nga ky institucion. Për të realizuar të gjitha këto qëllime mësohet se përfaqësuesi i kompanisë private Ferdinand Hodo si dhe e dyshuara Aurela Çota, kanë hyrë në kontakt me Shkëlzen Madanin, duke realizuar veprime korruptive. t.s