E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kreu i SHIK-ut në Lezhë: “Në Vain janë torturuar njerëz”

Ish-zyrtari i Shërbimit Informativ ia ka përcjellë informacionin

Laureta Rryçi

Tiranë - Ish- kreu i SHIK-t të Lezhës në vitin 1997 ishte dëshmitar në seancën gjyqësore për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro maqedonas Remzi Hoxha. Mark Frroku dëshmoi dje se për torturat në Vain të Lezhës kishte informuar eprorin e tij të aso kohe, Fatos Klosin. Dëshmitari tregoi se nga takimet me disa punonjës të bazës së SHIK-ut në Vain të Lezhës kishte mësuar se atje ishin mbajtur dhe keqtrajtuar fizikisht disa persona.
Dëshmia
Gjatë dëshmisë së tij Frroku shpjegoi se kishte takuar edhe një nga dëshmitarët kryesorë të këtij procesi Ziso Kristopulli. Vetë Kristopulli i kishte dëshmuar Frrokut se ndaj tij ishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike. Më tej në dëshminë e tij ish kreu i SHIK-ut të Lezhës tha se kishte vënë në dijeni edhe shefin e atëhershëm të SHIK-ut, Fatos Klosin. Për krimin e kryer gati 13 vjet më parë në bankën e të akuzuarve janë 3 ish shikas, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-shikasve, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt.
Ngjarja
Remzi Hoxha u mor peng në tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut, se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›