E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhet filiali i Postës, grabitësit mundën të marrin 1.5 milionë lekë



Poliçan – Filiali i Postës në qendër të qytetit të Poliçanit është grabitur nga persona të panjohur, të cilët kanë mundur të marrin shumën e 1.5 milionë lekëve dhe të largohen pa u ndaluar nga askush. Sipas të dhënave paraprake të policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e natës në qytetin e vogël të Poliçanit dhe mësohet se grabitësit duke përfituar nga errësira dhe mungesa e rojeve kanë shqyer derën e postës dhe kanë grabitur shumën e parave prej 1.5 milionë lekësh. Mësohet se kjo shumë parash ishte caktuar për t’iu shpërndarë pensionistëve të këtij qyteti. Për momentin nuk ka ende asnjë të dyshuar për ngjarjen, por policia po punon për zbardhjen e saj.

Mbytet me litarët e shilarësit fëmija 8-vjeçar teksa luante me shokët
Durrës - Një fëmijë 8-vjeç është mbytur me litar teksa luante me shokët në shilarës. Ngjarja ndodhi dje në lagjen nr. 15 në Spitallë të Durrësit, kur 8-vjeçari A. L., është gjetur nga prindërit e tij të varur me litar në oborrin e shtëpisë. Familja e të miturit ishte e ardhur nga veriu, ndërsa 8-vjeçari ishte fëmija më i vogël familjes që kishte tre djem. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë për të sqaruar rrethanat e vdekjes së vogëlushit. Burime të policisë thanë se dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale. Mësohet se 8-vjeçari ishte duke luajtur në shilarësin që ndodhet në oborrin e shtëpisë me disa fëmijë të tjerë bashkëmoshatarë të tij. Gjatë lojës dyshohet se i mituri se fëmija është kapur nga litarët dhe për pasojë është mbytur. Familjarët e tij e kanë dërguar në spital fëmijën e tyre por ka qenë e kotë pasi ai kishte ndërruar jetë.
Burime nga policia thanë se vonesa e tepruar për të shpëtuar djalin nga litarët ka sjellë dhe vdekjen e tij pasi moshatarët e 8-vjeçarit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për t’i shpëtuar atij jetën.

Policia e kryeqytetit çon në qeli një të shumëkërkuar për vrasje
Tiranë – Arrestohet nga policia një 27-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje. Oficerët e Sektorit të Operacioneve Speciale të Kërkimit në Policinë e Tiranës, arrestuan sot 27-vjeçarin Eduart Çuni, i dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”. Sipas policisë, kapja e tij, u realizua falë posedimit të informacione nga ana e këtij sektori, nga ku u realizua dhe kapja e tij në rrethin e Kurbinit në Mamurras. Ndaj tij, Gjykata e Apelit Tiranë me vendim të datës 25 tetor të vitit 2005, e ka dënuar Çunin me 15 vjet burgim, sepse akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “Vjedhjes me armë”.
Burime nga policia thanë se Eduart Çuni fshihej në banesën e motrës së tij në Mamurras. Nga strukturat e Policisë u ekzekutua urdhri i ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, për këtë shtetas.

6 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›