Sulmohet egërsisht piktori Artur Muharremi
Tri net më parë, rreth orës 23:20, në rrugën “Myslym Shyri”, tre persona të panjohur sulmuan piktorin e mirënjohur, Artur Muharremi, i cili, si zakonisht, po dilte nga studioja e tij dhe ishte nisur drejt shtëpisë.
I pyetur nga gazeta “Albania” rreth këtij agresioni, piktori Artur Muharremi tha: “Ende nuk e kuptoj dhe jam shumë i tronditur nga kjo ngjarje. Sulmi ishte aq i beftë, sa mbeta i shtangur. Dy prej tyre më sulmuan me shqelma dhe grushte në fytyrë, pa më thënë asnjë fjalë. Vetëm pas pak minutash njëri prej tyre, ai që nuk qëlloi, tha: ‘Lëreni! Nuk e kuptoj, thotë piktori i mirënjohur, duke ngritur supet. Po shkove në polici mos dil më në rrug뒔.
Pavarësisht kërcënimeve, piktori i njohur bën të ditur se ngjarjen në fjalë e ka denoncuar edhe në polici. Ngjarja është vërtet e çuditshme nisur dhe nga fakti që piktori i mirënjohur edhe ndërkombëtarisht ka jetuar gati për 15 vjet në Greqi së bashku me familjen e tij. Vetëm vitet e fundit, piktori Artur Muharremi punon edhe në Shqipëri, ku herë pas here promovon ekspozitat e tij të njohura, në kujdesin e muzeut “Mezuraj”. Po kështu piktori Artur Muharremi ka promovuar një sërë ekspozitash edhe jashtë Shqipërisë.
I lindur në Pogradec, në vitin 1958, Muharremi mbaroi studimet e larta në pikturë në degën e Skenografisë, në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1986 e më pas piktori i njohur është fitues i një sërë çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Është autor i ekspozitave kombëtare në vitet 1991, 1996 dhe 2003.
Muharremi ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash jashtë vendit, kryesisht në Greqi.
Agresioni i mbrëmshëm mbi piktorin është një rast i paprecedent dhe i frikshëm. I pyetur nëse ka ndonjë armiqësi apo grindje me ndokënd, ai u përgjigj se nuk ka shkëmbyer fjalë me njeri.
Ngjarja e djeshme është një apel për organet e Policisë dhe të shtetit, që kanë për detyrë të paktën të sigurojnë jetën e qytetarëve të vet.
6 Maj 2009