E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kreu i komunës, abuzim me pronat

• KORÇE – Ish-kryetari i komunës Dardhas në Pogradec ka rënë dje në prangat e policisë së Korçës, pasi akuzohet se ka abuzuar me pronat në njësinë territoriale të administruar prej tij përgjatë gjashtë viteve. Sipas burimeve zyrtare nga policia, mësohet se i arrestuari është Ditor Fraholli, 37 vjeç. Ai akuzohet se gjatë kohës që ka qenë kryetar i komunës Dardhas, nga viti 2001 deri në 2007, ka shpërdoruar detyrën dhe ka kryer veprën penale “korrupsion pasiv”, duke dhënë pronësi tokash në mënyrë arbitrare. Veprime të tilla të paligjshme, sipas hetimeve të policisë së Korçës, janë kryer nga i arrestuari kundrejt përfitimit financiar nga personat e interesuar, të cilët kanë paguar ryshfet tek ish-kreu i komunës Dardhas. Policia tha se, arrestimi i ish-zyrtarit të pushtetit lokal është bërë pas dokumentimit të një rasti të dhënies arbitrare të pronësisë kundrejt ryshfetit, ndërsa organet e rendit kanë informacione për abuzime edhe në të tjera raste, që do të hetohen në ditët e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›