E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, PDK fiton zgjedhjet në Kaçanik

Partia Demokratike e Kosovës doli fituese e garës për Kryetar të Kaçanikut. Kandidati i saj, Besim Ilazi arriti të triumfojë në raundin e parë duke marrë mbi 50 për qind të votave. Pas PDK-së , u radhitën AAK-ja e Vetëvendosja derisa më pak vota morën LDK-ja e AKR-ja. Hashim Thaçi tha se ky rezultat është barometër për Kosovën.

Kandidati i PDK-së, Besim Ilazi ka marrë më shumë se gjysmën e votave në Kaçanik dhe kështu ka shmangur një raund të dytë të zgjedhjeve. Pas Ilazit që ka siguruar 52.92 për qind të votave, është renditur kandidati i AAK-së, Tahir Çaka me 20.30 për qind. Lëvizja e Albin Kurtit me kandidatin Shukri Luta ka fituar 16.38 për qind. Më pak vota në zgjedhje kanë dalë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AKR-ja e Behgjet Pacollit. Partia e Isa Mustafës ka marrë vetëm 5.51 për qind, ndërsa AKR-ja 4.88.

Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga organizatat joqeveritare dhe Komisionit Qendror Zgjedhor, të cilët kanë konstatuar se nuk ka pasur probleme që do të mund ta prishnin procesin zgjedhor.

Zgjedhjet në Kaçanik janë mbajtur pas dënimit të Xhabir Zharkut me tre vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Ende pa dalë rezultati paraprak nga KQZ-ja dhe organizatat joqeveritare, simpatizantët e PDK-së kanë dalë të kremtojnë fitoren e Besim Ilazit.

Në zyrat e PDK-së në mbrëmje ka ardhur Kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka uruar fitoren kandidatit të partisë së tij. Kryetari i PDK-së, ka thënë se fitorja e partisë së tij është barometër i skenës politike të Kosovës. “Prandaj, kjo është një fitore e demokracisë, është një fitore e fuqizimit të PDK’së, është barometri i skenës politike në Kosovë, është dëshmia se PDK-ja ka një përkrahje shumë të fuqishmë te qytetarëve në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Thaçi, teksa ia ka uruar fitoren Besim Ilazit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›