E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrolli, policia ndalon studenten që kishte fshehur në konvikt një automatik Kallashnikov

Arrestimi i 20-vjeçares E. R., në dhomën e konviktit ku ajo banon, në Rrugën e Dibrës. Ndalohen edhe Erkens Zeneli dhe Aleksandër Lezo, të dyshuar si poseduesit e armës

Luan Kondi

Tiranë – Nuk e kishte të sajën armën që mbante në konvikt, por policia deri në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes e ka shoqëruar në dhomat e ndalimit. Studentja e infermierisë është çuditur ndërsa ka para uniformat blu në derën e dhomës së saj të konviktit, të cilët kërkonin të ushtronin kontroll në ambientet ku ishte akomoduar. Kontrolli ka rezultuar fatal teksa agjentët policorë kanë dalë nga dhoma e saj me një armë zjarri që, sipas burimeve ishte e tipit kallashnikov. 20-vjeçarja u dërgua menjëherë në dhomat e izolimit të komisariatit nr. 4 dhe u mor në pyetje nga agjentët policorë.
Ngjarja
Burime policore i thanë gazetës “Albania se një studente 20-vjeçare nga Fushë Kruja, e cila studionte në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë, është arrestuar nga policia me një armë, automatik të tipit Kallashnikov. Arrestimi i 20-vjeçares E. R., lindur dhe banues në Fushë Krujë, u bë pak pas mesnatës së djeshme duke gdhirë e martë, në dhomën e konviktit ku ajo banon, në Rrugën e Dibrës. Të njëjtat burime saktësuan për gazetën “Albania” se efektivët policorë të Komisariatit nr. 4, gjatë kontrollit të kryer në dhomën e 20-vjeçares, gjetën një armë automatik të tipit kallashnikov, me nr. 029586 dhe një krehër me 28 fishekë, të fshehura në dhomën e konviktit në Rrugën e Dibrës ku ajo banonte. Studentja është marrë në pyetje nga uniformat blu dhe nga deklarimet e saj u mësua se ajo e kishte marrë në ruajtje armën, teksa kjo e fundit i përkishte personave të tjerë, të njohur nga 20-vjeçarja.
Ndalimet
Pak pas deklarimit të vajzës rreth dijenisë së saj për ngjarjen, u bë ndalimi i dy 23-vjeçarëve Erkens Zeneli, lindur dhe banues në Lushnjë dhe Aleksandër Lezo, lindur në Vlorë dhe banues në Ersekë. “Këta dy të rinj janë personat e dyshuar si posedues dhe transportues të kësaj arme”, - sqaruan burime policore. Po sipas tyre mësohet se materialet hetimore, i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe të municionit”.

Dënimi në Itali i Alzan Keçit, policia në operacion për kapjen e tij

Durrës - Sektori Operacional dhe i Kërkimit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, ka përfunduar dje një operacion për kapjen e një të dënuari në Itali. Burime zyrtare të policisë së Durrësit, thanë për agjencinë e lajmeve NOA se në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak bënë të mundur ndalimin e 29-vjeçarit Alzan Keçi. I dyshuari, lindur dhe banues në Shijak në lagjen “Popullore” u prangos në fshatin Gjepalaj pranë Shijakut, pasi Gjykata e Rrethit Durrës, në vendimin Nr. 562 të datës 6 nëntor 2007 ka njohur vendimin e Gjykatës Italiane. Kjo e fundit, e ka dënuar Alzan Keçin me 7 vjet e 8 muaj burg për veprën penale te “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Dënimi i tij prej gjykatës së Durrësit është konvertuar me 6 vjet e 7 muaj burg. Policia sqaroi se vepra penale e konsumuar nga i riu, është e parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Vrasja në bashkëpunim e Dishës në Durrës, ekstradohet Gashi nga Italia

Tiranë - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana informon se dje u krye ekstradimi nga Milano e Italisë, drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Bujar Gashi. Interpoli tha se 36-vjeçari nga Durrësi, është ekstraduar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr. 114, datë 21 korrik 2008, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurimit “arrest me burg”. Gashi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim”. Sipas vendimit të gjykatës, më datë 9 korrik 2000, rreth orës 22:00, në vendin e quajtur Shënavlash, Durrës, Bujar Gashi në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë vrarë me armë zjarri të ndjerin Dritan Disha. “Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë i shtetasit Bujar Gashi”, -sqaruan burime nga Interpoli.

Itali, policia zbulon rrjetin e trafikanteve

Pas një periudhe të gjatë hetimesh, të koordinuara nga prokuroria e Varese, Guardia di Finanza zbuloi një rrjet trafikimi droge me të cilin bashkëpunonin shtetas italianë dhe shqiptarë. Në Komo u kap një shtetas shqiptar që kishte për detyre transportimin e lendeve narkotike. Në makinën e 41-vjeçarit, me iniciale M. E., u gjetën gjashtë çanta të mëdha me 60 kg marijuanë. Në banesën e këtij personi në zonën Fiera të Milanos forcat e rendit zbuluan një magazinë të vërtete: 140 kg marjuanë dhe 50 kg hashash, peshore dhe pajisje për ambalazhimin e drogës. Gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 24 telefona celularë e 45 skeda të kompanive të ndryshme italiane dhe të huaja; si dhe 300 mijë euro, që ka shumë mundësi të jenë fryt i trafikut të drogës. Shtetasi shqiptar, që kishte pasur të bënte dhe më parë me drejtësinë italiane, është arrestuar dhe aktualisht ndodhet i mbyllur në burgun “San Vittore” të Milanos.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›