ODIHR: Ndarja e kartave në pikëpyetje
BLEDAR HOTI
Çështja më shqetësuese për raportin e parë të misionit ODIHR-it është procesi i pajisjet me kartat e identitetit. Raporti paraprak i ODIHR, që përfshin periudhën nga 8-21 maj, e sheh si shqetësuese çështjen e aplikimit me kartat e identitetit. “Ndërsa Qeveria është e bindur se do të jetë në gjendje të ofrojë për të gjithë votuesit, të cilët nuk kanë pasaportë, një kartë identiteti, vëzhguesit e OSBE/ODIHR dhe EOM, kanë vënë në pikëpyetje, në veçanti nga opozita, në se kjo do të jetë e mundshme në afatet e kufizuara të kohës”, thuhet në raport. Në të theksohet se “disa parti, si PS, kanë pretenduar se aplikimet janë duke u proceduar në mënyrë selektive, që është në disavanatzh për përkrahësit e tyre”. ODIHR shprehet se sipas Ministrisë së Brendshme, deri më 19 maj, rreth 354.000 njerëz me të drejtë vote, nga rreth 730.000 votues të mundshëm pa pasaportë të vlefshme kanë aplikuar deri më tani për kartat e identitetit. “Rreth 160,000 votues shqiptarë besohet se janë jashtë vendit pa dokumente të rregullta. Rreth 220,000 votues deri tani nuk kanë aplikuar për një kartë identiteti të re. Minista e Brendshme ka besim se do të jetë në gjendje ta procesojë në kohë për zgjedhjet këtë numër, ndërsa të tjerë kanë vënë në pikpyetje nëse kompania e kontraktuar për të menaxhuar qendrat e aplikimit dhe për të prodhuar kartat e identitetit e ka kapacitetin e duhur për t’u përballur me një numër të lartë aplikantësh”, thuhet në raport.
OSBE/ODIHR vlerëson se të dyja zgjedhjet e mëparshme ishin vetëm pjesërisht në përputhje me angazhimet në OSBE, pavarësisht se ka pasur progres në sigurimin e një gare konkurruese. Klima politike cilësohet si mjaft e polarizuar, sidomos mes dy partive të mëdha politike. Mjedisi politik mbetet shumë i polarizuar midis PD dhe PS. Ndërsa partitë e vogla e kundërshtuan sistemin e ri zgjedhor, shumë prej tyre arritën në përfundimin se perspektiva e tyre do të jetë më e madhe brenda një koalicion, dhe shumica e tyre u bashkua në një nga katër koalicionet për këto zgjedhje”, thuhet në raport. Ndërsa periudha 30-ditore zyrtare e fushatës nuk fillon deri më 29 Maj, partitë janë tashmë aktive në fushatë, me figurat kryesore politike të vendit nëpër turne. Me gjithë formimin e koalicioneve, veprimtaritë e fushatës deri tani kanë qenë individuale. Partitë opozitare pretendojnë se PD ka përfituar nga fushata televizive e informimit publik, duke theksuar se arritjet e qeverisë janë transmetuar pak para fushatës zyrtare, kur palët nuk janë lejuar të kenë reklamë politike në televizion. ODIHR thekson se “ndjehet mungesa e besimit në mes shumë partive politike ndaj administratës zgjedhore. Shumica e partive të vogla shprehin pakënaqësinë me Kodin Zgjedhor që i jep një rol dominant në administratën e zgjedhjeve drejt PD dhe PS, në kurriz të të tjerëve”.
Çështja Glover
Në raport theksohet se qeveria ende nuk ka takuar drejtuesen e misionit të ODIHR-it, Audrey Glover. “OSBE/ODIHR e hapi zyrën e saj në Tiranë, më 8 maj 2009. Drejtuesi i Misionit është takuar me anëtarët e KQZ-së, zëvendësministrin e Brendshëm, krerët parlamentarë dhe disa joparlamentarë të partive politike(PD deri më tani ka rënë dakord për kontakte në nivel pune), Shefin e OSBE-së në Shqipëri, dhe ambasadorët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së”, thuhet në raport. Gjithashtu theksohet se “OSBE/ODIHR EOM u takua gjithashtu me përfaqësuesit e Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ka vendosur kontakte të rregullta me KQZ-në, partitë politike, shoqërinë civile dhe mediat”.
raporti i odihr
Çështja e kartave të reja të identitetit është çështja më e diskutueshme në procesin zgjedhor deri tani.
Qeveria është e bindur se do të jetë në gjendje të ofrojë për të gjithë votuesit, të cilët nuk kanë pasaportë një kartë identiteti
Vëzhguesit e OSBE/ODIHR dhe EOM kanë vënë në pikëpyetje pajisjen me karta, në veçanti nga opozita, nëse kjo do të jetë e mundshme në afatet e kufizuara të kohës.
Disa parti kanë pretenduar se aplikimet janë duke u procesuar në mënyrë selektive, që është në disavanatzh për përkrahësit e tyre.
Ndërsa periudha 30-ditore zyrtare e fushatës nuk fillon deri më 29 maj, partitë janë tashmë aktive në fushatë, me figurat kryesore politike të vendit nëpër turne.
Ndjehet mungesa e besimit në mes shumë partive politike ndaj administratës zgjedhore.
Shumica e partive të vogla shprehin pakënaqësinë me Kodin Zgjedhor që i jep një rol dominant në administratën e zgjedhjeve drejt PD dhe PS, në kurriz të të tjerëve
Shumë parti kanë shprehur frikën e parregullsive në ditën e zgjedhjeve, veçanërisht gjatë procesit të numërimit.