Ish-liderët e Evropës Qendrore e Lindore, letër Obamës
Presidenti amerikan Barak Obama ka marrë një letër nga një grup ish-liderësh të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në letrën publike ata kanë shprehur shqetësimet për politikën e Shteteve të Bashkuara në rajon. “NATO-ja është bërë e parëndësishme në nevojat tona strategjike. Aleanca duket më e dobët se sa kur vendet tona u anëtarësuan. Shumë njerëz po shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhë me mbrojtjen e tyre në të ardhmen”, shkruhet mes të tjerash në letër. Ish-liderët kanë kërkuar nga administrata e presidentit Obama, që ajo të marrë një qëndrim të vendosur karshi Rusisë “revizioniste”. Në letër theksohet rëndësia e ndërtimit të mburojës raketore në Poloni dhe Çeki nga ana e Shteteve të Bashkuara, duke vlerësuar se “braktisja e programit ose përfshirja e Rusisë tepër thellë në të, mund të dëmtojë besueshmërinë mbi Shtetet e Bashkuara në gjithë rajonin”. Mes autorëve të letrës kanë nënshkruar ish-lideri i Polonisë, Leh Valensa, ai i Çekisë, Vacllav Havell, i Lituanisë, Valdas Adamkus, ish-presidenti i Letonisë, Vaira Vike-Frajberga dhe ai i Rumanisë, Emil Konstantinesku, më tej ish-kryeministri i Estonisë, Mart Lar dhe disa ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes së vendeve të rajonit.