Sheri Bler preket nga gripi i derrave
Sheri Bler është prekur nga virusi i gripit të derrave, shkruan gazeta “The Sun”. Gruaja e ish-kryeministrit britanik është detyruar të anulojë një sërë takimesh publike pasi përballet me betejën me virusin A/H1N1. Zonja Bler ka filluar të mos ndihet mirë që në fillim të javës, shkruan “The Sun” dhe besohet se ajo është diagnostikuar për gripin e derrave të martën. Mjekët i kanë ofruar asaj antigripin “Tamiflu” dhe tani ajo po pushon në shtëpinë e saj ndërsa lufton virusin. Ish-kryeministri britanik, Bler nuk e ka marrë virusin dhe fëmijët e familjes janë të painfektuar. Znj. Bler pritet ta marrë veten plotësisht nga e hëna e javës së ardhshme dhe nuk do të jetë më bartëse për njerëz të tjerë, kështu besohet. Zyra e z. Bler ka refuzuar të komentojë mbi këtë lajm. Znj. Bler është personi në shkallën më të lartë shoqërore i prekur nga gripi i derrave në Britani, deri tani.