E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata ekonomike, drejtorët e BERZH ‘zbarkojnë’ në Tiranë

 

Fabiola Çela

Ndërkombëtarët do të vëzhgojnë nga afër të gjithë situatën ekonomike në vend. Një grup drejtorësh të BERZH-it do të vizitojnë Shqipërinë, si dhe të marrin një informacion të hollësishëm në lidhje me prioritetet e qeverisë shqiptare mbi rolin e pritshëm të BERZH-it në strategjinë e ardhme të vendit.
BERZH
Një delegacion i Bordit të Drejtorëve të BERZH do të vizitojnë Shqipërinë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në datat 8-13 nëntor 2009. Gjatë vizitës në Shqipëri drejtorët e BERZH-it do të takojnë zyrtarët më të lartë të qeverisë për t’u njohur kështu nga afër më situatën ekonomike në vend. Me investime prej 545 milionë euro te kryera në Shqipëri dhe më shumë se 507 milionë euro në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në më shumë se 70 projekte, BERZH është një nga investitorët më të mëdhenj në të dy vendet. Sipas raportit më të fundit nga BERZH këtë vit rritja ekonomike do të jetë 3 për qind. Sipas këtij raporti ekonomia shqiptare pritet të rritet me afërsisht 3 për qind në vitin 2009, në rënie nga rritja prej 6.8 për qind e vitit 2008. Në vazhdim, pas një rënie ekonomike të mëtejshme, të pritur në gjysmën e dytë të vitit, ekonomia ka mundësi të rimëkëmbet në vitin 2010. Sipas bankës, pasojat e plota të krizës në ekonominë shqiptare kanë filluar të ndihen vetëm në gjysmën e dytë të vitit. Efekti i krizës botërore në Shqipëri ka qenë i përmbajtur, së pari në sajë të sistemit relativisht të fortë bankar, që është zhvilluar mirë në vitet e fundit dhe ekspozimit të kufizuar të ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare. Megjithatë, rritja do të ndikohet nga një ulje e pritur e eksporteve, remitancave dhe investimeve të brendshme dhe deficiti i madh aktual do vazhdojë të jetë një sfidë e madhe për vitet në vazhdim. Kontrolli fiskal mund të nevojitet për të ruajtur balancimin e buxhetit dhe bankave tregtare do t’u duhet të monitorojnë me kujdes portofolat e huave, ndërsa ekonomia rimëkëmbet pas krizës. Sipas bankës, përsa i përket së ardhmes në disa shtete konkurruese në arenën ndërkombëtare si Shqipëria, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, ku sistemet bankare para krizës ishin relativisht të forta, pritet një rritje relativisht më e shpejtë në vitin 2010, në një nivel ndërmjet 2 dhe 5 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›