E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-materniteti gati në të shkatërruar

 

BERAT – Ish-materniteti i ndërtuar në qendër të qytetit të Beratit është drejt shkatërrimit. E destinuar pak muaj më parë për t’u kthyer në universitet, në këtë godinë momentalisht nuk po kryhet asnjë punim. Godina 4-katëshe e ndërtuar në vitin 1967, prej rreth katër dekadash ka shërbyer për lindjen e fëmijëve. Pas transferimit të maternitetit në ambientet e spitalit Rajonal, nënat janë të detyruara të lindin në kushte jashtë rregullave shëndetësore, në disa ambiente jo të përshtatshme. Por pas largimit të personelit, ish-materniteti i vjetër është kthyer në një gërmadhë. Ajo është kthyer në fole të qenve rrugaçë, por edhe të së rinjve, të cilët janë përdorues të lëndëve narkotike. Në fushatën elektorale u premtua se kjo godinë do të kthehej në një universitet privat me degë të profileve të ndryshme. Por edhe pse punimet filluan, projekti nuk u realizua. Madje, ajo shkaktoi debat midis bashkisë, opozitës dhe ministrisë përkatëse. Pas këtij debati punimet u ndërprenë, ndonëse kishin nisur të kryheshin ndërhyrjet e para në rikonstruksionin e ndërtesës. Burime nga bashkia bënë të ditur se kjo godinë duhej t’i kalonte në administrim pushtetit vendor. Po kalojnë pothuajse 6 muaj nga dita që filluan punimet, por ato tashmë janë pezulluar. Askush nuk jep një përgjigje për ecurinë e punimeve, ndërsa specialistët japin alarmin se kjo godinë është gati në të shembur.                        d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›