E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina përfundon në gropën e një pallati, 2 të vdekur

 

VLORE - Makina përfundon nga rruga në një gropë të hapur për ndërtimin e një pallatit. Dy persona humbën jetën e tre u plagosën rëndë në ngjarjen tragjike të ndodhur mbrëmë në zonën e njohur si Kalaja, mbi vilat qeveritare në qytetin e Vlorës. Rruga pa mbrojtëse, gropa e thellë e ndërtesës së re si dhe mungesa e ndriçimit kanë qenë shkaqet që sollën aksidentin fatal. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth 20:45 të mbrëmjes. Në makinën tip “Opel” Astra, me targë VL 3588 B udhëtonin katër persona, të së njëjtës familje, të cilët nga shtëpia e tyre, në të njëjtën zonë, po zbrisnin për në Ujin e Ftohtë. Pasi kanë zbritur rreth 80 metër nga banesa e tyre në një dishezë të fortë makina ka marrë shpejtësi. Drejtuesi i makinës ka tentuar të frenojë por frenat nuk kanë funksionuar. Ndërsa mjeti zbriste me shpejtësi, shoferi Mondi Hasko u ka bërtitur 3 udhëtarëve të hidheshin nga mjeti. Prej makinës ka mundur të dalë vetëm një fëmijë 10 vjeç. Gjatë kësaj përpjekje, shoferi nuk ka mundur dot të marrë një kthesë të fortë. Për pasojë, makina ka fluturuar në ajër disa metra për të përfunduar në thellësi, në katllavanin e pallatit, duke u përplasur në katin e dytë të godinës në ndërtim. Drejtuesin e mjetit e ka nxjerrë makina nga përplasja, ndërsa në makinë kanë ngelur dy pasagjerë. Prej përplasjes së fuqishme ka gjetur vdekjen Zenel Hasko, 74 vjeç, ndërsa u plagosën Juela Hasko 46 vjeçe e Edmond Hasko 48 vjeç, të dy në rrezik për jetën. Kjo tragjedi do të mbyllej këtu, nëse shtetësja Evathi Hasko, 44 vjeçe të mos nxitonte drejt vendit të ngjarjes. Ajo kishte parë skenën e rëndë dhe ka shkuar pranë zonës ku ra makina. Për shkak të errësirës asaj i ka rrëshqitur këmba, duke u rrëzuar dhe ajo në thellësi të vendit ku ishin themelet e pallatit të ri. Gruaja ka ndërruar jetë në vend. Policia e cila ka mbërritur në vendngjarje po punon për shkakun e saktë të aksidentit fatal dhe rrethanat në të cilat ndodhi ai. Sipas policisë paraprakisht mendohet se tre janë shkaqet e aksidentit: errësira totale, mungesa e sistemit të frenimit , si dhe mungesa e rrethimit dhe e sinjaleve për të paralajmëruar udhëtarët se po kryhen punimet për një ndërtesë të re. Policia e Vlorës shoqëroi mbrëmë pronarin që po ndërton pallatin.                q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›