E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Angli i kërkuari shqiptar për vrasje në ‘96

 

LONDER – Kapet në Anglinë Veriore pas 13 vitesh arrati i shumëkërkuari shqiptar. Skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard ka prangosur dje 37-vjeçarin Sokol Sinani, në shtëpinë e tij në qytetin Njukasëll, pasi Interpol Tirana ka mundur të identifikojë vendfshehjen dhe ka njoftuar homologët britanikë. Një zëdhënës i Scotland Yard bëri të ditur dje se i shumëkërkuari shqiptar fshihej në Angli me identitet të rremë, duke përdorur emrin Ismail Sinani. Sipas korrespondentit të Top-Channel në Londër, Muhamed Veliu, mësohet se i kërkuari nga drejtësia, Sokol Sinani kishte zgjedhur si vendfshehje një lagje periferike të Njukasëllit dhe se ishte i martuar me një britanike e quajtur Carol. Sinani, 37 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është dënuar në mungesë nga Gjykata e Kukësit për një vrasje të ndodhur në vitin 1996. Për këtë vrasje, Gjykata e Kukësit dënoi me 20 vite burg të vëllain e Sokolit, Afrim Sinani, duke e cilësuar bashkautor në krim, i cili pasi u arratis nga burgu i Bënçës në vitin 1997 ku vuante dënimin, kërkoi azil në Britaninë e Madhe. Afrim Sinani u arrestua në Londër shtatorin e vitit 2006, i akuzuar se kishte përfituar përmes mashtrimit qytetarinë britanike. Gjykata e ekstradimeve vitin e shkuar e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për ta ekstraduar, ndërsa avokatët e Afrim Sinanit e apeluan këtë vendim në Gjykatën e Apelit, e cila pritet të japë vendimin e saj gjatë ditëve në vazhdim. Ndërkohë mësohet se Sokol Sinani do t’i zhvillojë seancat gjyqësore të ekstradimit në gjendje të lirë, pasi ka vënë si garanci pasurore shumën prej 20 mijë sterlinash. Burime nga Scotland Yard pohuan se ai ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, duke pretenduar se nuk ishte Sokol Sinani dhe se efektivët që e shoqëruan kishin gabuar person. Këto pretendime të tij pritet të sqarohen nga Gjykata e Ekstradimeve, e cila veç të tjerash do të kërkojë edhe bërjen e analizës së ADN-së dhe krahasimin me ADN-në e Afrim Sinanit, vëllait të tij. Po kështu pritet që të krahasohen edhe të dhëna të tjera që mund të dërgohen nga Interpol Tirana në drejtim të shtetit anglez.   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›