E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-minatorët nisin sot protestën

KUKES - Fillojnë sot protestën 240 ish-minatorët e Qarkut të Kukësit, të cilëve iu ndërpre pensioni i parakohshëm.

Ashtu siç kishin paralajmëruar tre ditë më parë, ata do të protestojnë përpara degës rajonale të sigurimeve shoqërore në kërkim të pensioneve të humbura. Kërkesa e tyre është rilidhja e pensionit të parakohshëm, të cilin e kishin përfituar nga një vendim qeverie të vitit 2000. Sipas këtij vendimi, ata minatorë që kishin punuar nën tokë në galeri për më shumë se 11.6 vite dhe në tërësi 23 vite, do të përfitonin pension të parakohshëm, në një shumë prej 5 mijë lekësh të reja në muaj, derisa të dilnin në pension të plotë. Por një kontrolli të Auditit të Brendshëm në institucionin e ISSH-së së Kukësit vuri në dukje pasaktësi dhe korrigjime në dokumentet e përfitimit të pensioneve për ish-minatorët e Gjegjanit dhe Kalimashit, duke pezulluar përfitimin për 240 të tillë. Fatmir Thaçi, kryetar i sindikatës së minatorëve ka pohuar se, “Fillimisht do të grumbullohemi në sallën e Pallatit të Kulturës, ku do të diskutojmë lidhur me kërkesat tona. Po aty do të ngrihet komisioni i protestës dhe më pas protesta do të vijojë para Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në kërkojmë rilidhjen e pensioneve, pasi e meritojmë atë dhe nuk kemi bërë falsifikime. Ata që kanë bërë, le të përgjigjen para ligjit, madje edhe drejtoria rajonale të dërgojë në gjykatë të gjitha dosjet”. Mësohet se nga kontrollet e bëra ka rezultuar se, nga 278 dosje të verifikuara kanë pasur parregullsi, 240 prej tyre për të cilave është marrë masa e ndërprerjes së pensionit.            j.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›