E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: 443 vite burg "Hakmarrjes për Drejtësi"

Tre dënime të përjetshme dhe 143 vite burg ishte pretenca e Prokurorisë për "Hakmarrjen për Drejtësi".

Fatos Mahmutaj

 Plot 12 vjet pas arrestimeve të bujshme të tetorit 1996, organet e drejtësisë mundën të kërkojnë dënimet për 10 të akuzuarit Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Pasho Novruzaj, Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate. Për herë të parë në këtë proces organi i akuzës kërkon dënimin e të akuzuarve për krimet më të rënda të ndodhur në Tiranë e Vlorë gjatë viteve 1992-1997. Kështu, dje Prokuroria kërkoi dënime të përjetshme për Altin Arapin, Orik Shytin dhe Gentian Cakën; për dy vëllezërit Nikolin dhe Pasho Novruzaj u kërkuan 25 dhe 21 vjet burg; për Roland Shytin u kërkuan 25 vjet burg; për Leart Shytin, vëllain e Orikut u kërkuan 22 vjet burg; për Kreshnik Spahiun 22 vjet burg; për Dritan Haten 21 vjet burg dhe për Gëzim Gjonin 8 vjet burg. Ndërsa më parë Prokuroria në të njëjtin proces që u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, në vitin 2003 kërkoi tërheqjen e akuzës për të pandehurit pasi nuk u arrit të dërgoheshin në gjykatë prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat. Gjatë argumentimit të kësaj kërkesë dy prokurorët pohuan se, hetimet ishin të paplota dhe se duhet të plotësoheshin me disa veprime të tjera, ndërsa mbrojtja gjatë fjalës së vet kërkoi pafajësi për të pandehurit. Pas kësaj në shkurt të vitit 2003 Gjykata e Tiranës vendosi të pushonte akuzat për 10 të pandehurit, si dhe të pushonte çështjen për të pandehurin e 11-të, Enkeljed Agaj, i cili ka vdekur në fillim të vitit 1998. Në korrik 2003 Gjykata e Apelit e kryeqytetit vendosi të rikthente në Shkallë të Parë për rigjykim çështjen në ngarkim të 10 të pandehurve, sipas kërkesës së Prokurorisë me qëllim që të t'i jepej mundësia për të tërhequr dosjen për plotësim akuze. Në shtator 2003 Gjykata e Tiranës vendosi të rikthente çështjen në organin e akuzës ku për një vit me radhë u ribënë hetimet dhe pas kësaj çështja u dorëzua në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi akuzat ndaj të pandehurve tashmë përfshiheshin në kompetencat e këtij institucioni. Gjatë kësaj kohe një ngjarje tjetër do e risillte çështjen "Hakmarrja" në qendër të vëmendjes. Në fund të shtatorit 2003, në qendër të kryeqytetit ekzekutohet me plumb në zemër shoferi i familjes së ish-krye-prokurorit Theodhori Sollaku, ndërsa udhëtonin në makinë me të bashkëshortja dhe vajza e tij. Për këtë u dënua përjetë nga Krimet e Rënda, Altin Arapi, një prej të pandehurve kryesore të "Hakmarrjes" dhe i pari nga të akuzuarit që përfitoi azil politik jashtë vendit, përkatësisht në Belgjikë. Për katër vjet me radhë në Tiranë, përpara një kolegji penal te Krimet e Rënda, organi i Prokurorisë dhe mbrojtësit sollën dhe shqyrtuan prova për 24 krime të rënda, për të cilat akuzohen të pandehurit. Por një vit më parë, organi i Prokurorisë u detyrua të riformulonte akuzat duke hequr dorë për 7 prej tyre, kryesisht ato të ndodhura në vitin 1992 dhe 1993. Kjo me pretendimin se kishte kaluar një kohë e gjatë dhe se ishte e vështirë të gjendeshin prova për to.

Akuzat e "Hakmarrjes"

1- Vrasja e Bujar Kaloshit             26.07.1996
2- Vrasja e Pirro Koninit             12.04.1995
3- Vrasja e S. Jates             15.12.1993
4- Rrëmbimi i Erion Nushit             30.10.1995
5- Autobomba te VEFA në Tiranë         26.02.1996
6- Vjedhja e arkës së kursimeve të lagjes nr. 8 02.06.1992
7- Arka e zhdoganimit             09.12.1992
8- Banka e Tiranës             29.01.1993
9- Vjedhja e pistoletës së Demir Lamit     30.06.1993
10- Vjedhja e "Suiss Air"             17.12.1993
11- Vjedhja e dytë e Suiss Air"         17.06.1994
12- Vjedhja e "Malev"             29.07.1994
13- Vjedhja e "Shkumbin Petrol"         16.08.1994
14- Vjedhja e IAP                 12.10.1994
15- Vjedhja e IAP                 07.12.1994
16- Vjedhja e "Gjallicës", Vlorë         13.12.1994
17- Vjedhja e argjendarisë "Agron"         14.01.1995
18- Vjedhja e Bankës së Vlorës         20.01.1995
19- Vjedhja e INSIG             21.02.1995
20- Vjedhja e "Adria"-s             01.03.1995
21- Vjedhja e "Gas Butan"             03.03.1995
22- Vjedhja e arkës së sfungjerit         15.06.1995
23- Vjedhja e VEFA-s në Vlorë         21.01.1996
24- Vjedhja e Bankës së Vlorës         18.04.1996

Pretenca

Altin Arapi,             burg të përjetshëm
Orik Shyti,             burg të përjetshëm
Gentian Caka,             burg të përjetshëm
Roland Shyti,             25 vjet burg
Nikolin Novruzaj,             24 vjet burg
Leart Shyti,             22 vjet burg
Kreshnik Spahiu,             22 vjet burg
Pasho Novruzaj,             21 vjet burg
Dritan Hate,             21 vjet burg
Gëzim Gjoni,             8 vjet burg

Azili politik

Tashmë pesë prej të akuzuarve kryesorë të "Hakmarrjes", kreu i saj Orik Shyti dhe Kreshnik Spahiu kanë fituar azil politik në Zvicër. Altin Arapi, i cili ka marrë një tjetër dënim të përjetshëm në mungesë ka fituar azilin në Belgjikë. Po kështu dy vëllezërit vlonjatë Nikolin dhe Pasho Novruzaj kanë fituar azil politik në Holandë. Argumentet për azilin ishin pretendimet se në Tiranë po zhvillohej një proces politik ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›