E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neranxi prefektit të Korfuzit: Ndikoni te Bollano për pronat

HIMARE – Pushtetarë të Korfuzit vizitojnë Himarën për të diskutuar mbi resurset e turizmit që qyteza ofron për të huajt.

Bashkë me operatorë turistikë, prefekti Stefano Pulimenos dhe kreu i Bashkisë së Korfuzit, Sotiris Mikaljev mbërritën dje në Himarë, me ftesë të deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi. Ata kanë takuar banorë të zonës, për të konkretizuar idetë mbi investimet në zonë dhe zhvillimin e qytezës jugore bregdetare si dhe rrethinave të saj. I pranishëm në takim ka qenë dhe prefekti i Vlorës, Xhevahir Rexhepi, ndërsa ka munguar kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano. Sipas Neranxit, Bollanos i është bërë ftesë për të ardhur në takim, por vetë kryebashkiaku e ka mohuar faktin se ishte vënë dijeni për këtë vizitë. Gjatë takimit deputeti Neranxi u ka kërkuar përfaqësuesve të lartë të pushtetit vendor në Korfuz që të ndikojnë tek kryebashkiaku i Himarës për të bërë të mundur përshpejtimin e zgjidhjes së çështjes së pronave të himarjotëve, për të cilën deputeti sheh si pengesë pikërisht Bollanon. Ai ka shtuar se, zgjidhja e këtij problemi do të bëjë të mundur dhënien e mundësisë për zhvillimin e zonës së Himarës dhe të rrethinave të saj, pasi po mbahen peng investimet si të huaja po ashtu dhe vendase. Prefekti i Korfuzit, Pulimenos ka shprehur mbështetje maksimale për këtë çështje. Të pranishëm në takim kanë qenë dhe disa prej përfaqësuesve të operatorëve të fuqishëm turistik të Greqisë, të cilët kanë dhënë nota maksimale për zonën e Himarës.                                q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›