E Diel, 1 Nëntor 2026

Efektet perverse të paradigmës së re të integrimit

Blendi Kajsiu

Ndryshimet e fundit kushtetuese janë analizuar përgjithësisht në kuadrin e interesave individuale të Ramës dhe Berishës. Nga shumë analistë dhe politikanë këto ndryshime janë parë në funksion të ambicieve politike të këtyre dy liderëve dhe në dëm të demokracisë. Ndonëse i logjikshëm një arsyetim i tillë duke u fokusuar ...ekskluzivisht tek dy individë konkretë anashkalon efektet perverse, që po prodhojnë në demokracinë shqiptare disa zhvillime më të gjera. Kryesori ndër to është ndryshimi i paradigmës së integrimit euroatlantik, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. 
Dje procesi i integrimit bazohej tek paradigma e kushtëzimit. Shqipëria duhej të demokratizohej në mënyrë që të integrohej.  Sot është e qartë që kjo paradigmë ka ndryshuar në thelbin e saj; Shqipëria do të integrohet për t’u demokratizuar. Natyrisht kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka bërë progres apo se nuk ka arritur asnjë standard demokratik, por se tashmë ideja dominuese është se demokratizimi shqiptar do të përfundojë pas dhe jo përpara futjes në BE. E njëjta logjikë ka operuar edhe në rastin e anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në BE. Nuk ka dyshim që të dyja këto vende ishin dhe mbeten larg standardeve politike, sociale, ekonomike dhe demokratike të BE-së. E megjithatë ato u anëtarësuan me idenë se kështu do të arriheshin më mirë këto standarde. Në këto kushte nuk është aspak çudi që në disa vite edhe Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Efektet afatgjata të këtij procesi mbi demokratizimin shqiptar mbeten për t’u parë, por ato afatshkurtra deri tani kanë qenë negative. Eshtë mëse e qartë që në kuadrin e paradigmës së re të integrimit demokracia shqiptare ka humbur dhe po humbet terren.  Mjafton të përmendim se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit u zhvilluan zgjedhjet lokale të vitit 2007 që për nga cilësia ishin njësoj ose më keq sesa ato të vitit 2005.  Pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO u prodhua në mënyrë klandestine një republikë e re kryeministrore dhe një sistem i ri elektoral, që kërcënojnë vetë sistemin demokratik. Kemi të bëjmë pra me një ‘paradoks’ që nuk i përgjigjet entuziazmit euroatlantik të analistëve, klasës politike dhe popullsisë në përgjithësi. Progresi i bërë në procesin e integrimit po shoqërohet me regres në procesin e demokratizimit, të paktën në termin afatshkurtër.
Ky regres duhet kërkuar së pari tek ndryshimi i paradigmës së integrimit. Në kuadrin e paradigmës së kushtëzimit shumë standarde demokratike apo reforma bëheshin nën presionin e ndërkombëtarëve si parakusht për tu afruar me strukturat euroatlantike. Për pasojë shpesh demokracia dhe standardet duheshin se i kërkonte Evropa në vend që të konsideroheshin si një qëllim në vetvete, çka shpjegon edhe brishtësinë e tyre. Kështu krijoheshin disa rregulla loje që shpesh më shumë sesa palët politike shërbenin për të kënaqur ndërkombëtarët. Në fakt në lidhje me standardet demokratike çdo qeveri më shumë sesa aprovimin e opozitës kërkonte aprovimin e ndërkombëtarëve. Kjo pasi legjitimiteti i çdo qeverie lidhej gjithnjë e më tepër me procesin e integrimit nëpërmjet këtyre të fundit. Çdo arritje në këtë proces ishte një provë e suksesit të qeverisjes. Për pasojë organizmat euroatlantike u bënë burimi i parimeve, presionit dhe legjitimitetit demokratik, me gjithë të mirat dhe të këqijat që sillte ky pozicion.
Sot kur paradigma e integrimit ka ndryshuar dhe është e qartë që Shqipëria do të integrohet pavarësisht standardeve ky pozicion ka mbetur bosh, duke prodhuar një sërë deformimesh politike. Së pari, qeverisja është zhveshur nga presioni euroatlantik në lidhje me standardet demokratike, përkundrazi ajo merr përgëzime nga ky komunitet në luftën kundër korrupsionit dhe në bërjen e reformave pikërisht kur i shpërthen Gërdeci. Së dyti, në këto kushte është e vështirë të bësh opozitë pasi si qeverisja ashtu edhe opozita në Shqipëri bëhen dhe legjitimohen në raport me procesin e integrimit. Arritja më e madhe e PD-së në opozitë ishte se ajo bllokoi procesin e nënshkrimit të MSA-së deri pas zgjedhjeve të vitit 2005. Kritikat dhe akuzat e saj u legjitimuan dhe u certifikuan nga Evropa. Kjo është diçka që Partia Socialiste nuk e bën dot sot. Kur gjithçka është në funksion të integrimit euroatlantik është e vështirë të kritikosh një qeveri që sapo ka marrë ftesën në NATO. Prandaj PS-ja e ka lënë mënjanë opozitën dhe është përqendruar tek marrja e sa më shumë meritave në procesin e integrimit, aq sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se kreu i opozitës është ministër i Integrimit. 
Në mungesë të presionit ndërkombëtar dhe në kuadrin e një integrimi ‘të paevitueshëm’ dy liderët përkatës janë fokusuar tek interesat e tyre të ngushta. Të përqafuar me integrimin euroatlantik ata mund ta bëjnë Kushtetutën siç duan, madje edhe me bekimin e autoriteteve euroatlantike. Këta të fundit e kanë më lehtë të integrojnë një Shqipëri të qetë, pa zhurmë, protesta, rrëmuja dhe destabilitet. Më shumë sesa sakatimi i demokracisë ata i bezdis zhurma që mund ta shoqërojë atë pasi kjo zhurmë e bën të sikletshëm integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, diçka që tashmë nuk duhet zvarritur as nga mungesa e standardeve. Dhe këtu operon logjika e paradigmës së re, sipas së cilës sado që të sakatohet demokracia shqiptare sot ajo do të rehabilitohet nesër në gjirin euroatlantik. Ndryshe kjo quhet perspektiva afatgjatë për hir të së cilës sakrifikohen proceset afatshkurtra. 
Mbase do të ndodhë vërtetë kështu, mbase në një perspektivë afatgjatë demokracia shqiptare do të konsolidohet thjesht sepse Shqipëria do të integrohet në strukturat euroatlantike. Pra, vërtet sot në perspektivën afatshkurtër kemi më pak demokraci, por nesër në perspektivën afatgjatë të integrimit do të kemi më shumë. Nuk do ishte hera e parë që shqiptarët do të sakrifikonin të tashmen në emër të së nesërmes, që duket se nuk vjen kurrë. Problemi i vetëm është ai që thotë ekonomisti i famshëm Keynes; nesër, në perspektivën afatgjatë, të gjithë do të kemi vdekur (in the long run we are all dead!). 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›