E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët çelin sezonin, në Durrës kosovarë e serbë

Pavarësisht faktit se stina turistike nuk është zyrtarizuar ende, e diela e parë e majit ka sjellë në Durrës qindra turistë.

DURRES/ OERD ULQINI

Të parët që kanë mbërritur në fundjavë kanë qenë kosovarët dhe serbët. Ata janë ndarë në itinerare të ndryshme, ku kosovarët kanë preferuar detin, ndërsa serbët janë përqendruar kryesisht në lagjet tradicionale të Durrësit, aty ku ndodhen më së shumti monumentet arkeologjike.
Por turistët e parë të verës nuk kanë ardhur vetëm nga rajoni. Shumë prej tyre vijnë edhe nga Tirana apo rrethe të tjera të vendit për të qëndruar disa orë në qytetin më të madh bregdetar të Shqipërisë. Duket se ka qenë një fillim i mbarë për Durrësin, i cili deri tani është mbajtur ekonomikisht vetëm me turizmin patriotik të shtetasve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Temperaturat e mesditës me 22-23 gradë celsius kanë sjellë dyndjen e parë masive të “Verë 2008”, në një plazh i cili përgjatë të gjithë gjatësisë së tij është ende territor publik. Çadrat private dhe shezllonget e kushtueshme nuk kanë “mbirë” ende dhe ky fakt ka sjellë “pushtimin” e rërës nga sektori “Teuta” e deri në zonën e “Plepave”. Por ky frekuentim masiv i ka gjetur të papërgatitur vendorët e Durrësit, të cilët janë ende në fazën e pastrimit të rërës nga leshteriku i dimrit. Bashkia e Durrësit nuk e ka konfirmuar datën zyrtare të çeljes sezonit, duke parashikuar një datë nga pas mesit të muajit maj. Ndërkohë që bashkitë më të vogla, e kanë çelur ose presin ta zyrtarizojnë këtë fundjavë.
Teksa pushuesit merrnin rrezet e para të diellit punonjësit e Ndërmarrjes Komunale të Plazhit kanë vazhduar punën pa ndërprerje për pastrimin e inerteve, të barit, të leshterikut dhe të papastërtive të tjera urbane. Sipas parashikimeve, pritet që plazhi i Durrësit gjatë sezonit të ri turistik të presë mbi 500 mijë pushues, ku një pjesë e konsiderueshme pritet që të jenë nga Kosova. Turizmi është një nga prioritetet kryesore të zhvillimit të qarkut të Durrësit dhe si i tillë ai po thith një pjesë të mirë të fondeve të buxhetit të pushtetit vendor dhe atij të shtetit. Qarku i Durrësit ka 68.1 km bregdet, po vetëm një pjesë e vogël e tij është e shfrytëzueshme në mënyrë masive .
E ndërsa pritet që të nisë sezoni, bashkia ka vendosur reduktimin e parcelave të plazhit privat. “Verë 2008” do të shtojë sipërfaqen e plazheve publike të Durrësit, në mënyrë që këtë vit të mos përsëritet më “refreni” i mijëra pushuesve, të cilët nuk gjejnë një vend për të ngulur çadrën në rërë. Shqetësimet e shumë pushuesve gjatë verës së vitit të kaluar e kanë bërë bashkinë më të madhe bregdetare të vendit që të reflektojë lidhur me raportin e plazhit publik me atë privat. Gjatë verës së shkuar përgjatë Gjirit të Durrësit u licencuan si plazhe private 120 parcela, të cilat i kanë sjellë arkës së bashkisë një shifër rekord prej 105 mijë USD në 90 ditë. Kreu i Policisë Bashkiake të Durrësit, Rexhep Bulku, ka siguruar qytetarët se, “vera e këtij viti do të ketë më shumë hapësira për plazh publik”. Sipas tij, problem tjetër me të cilin do të përballen blutë vendorë është edhe eliminimi i zhurmave të lokaleve pas orës 24:00. “Ndotja akustike”, është bërë pengesë për atë kategori turistësh që kërkon plazhe të qeta, pasi Durrësi gjatë verës që lamë pas ishte pushtuar nga mania e muzikës “live”. Shumë lokale thyenin rregulloren jo vetëm si segment kohor, por edhe si kapacitet të zhurmës që ishte disa decibel mbi limitet e lejuara nga OBSH.

Shkodra, qarku me bregdet e mal

SHKODER – Qarku i Shkodrës po përgatitet për të nisur sezonin turistik pas datës 10 maj. E veçanta e këtij qarku janë resurset e shumta natyrore, duke i ofruar pushuesve detin, liqenin apo klimën malore. Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, tha dje për ATSH-në se, janë ditët përfundimtare të sistemimit të kërkesave që shtrojnë zonat turistike të këtij qarku. “Turizmi është një nga prioritetet kryesore të zhvillimit të qarkut tonë, pasi si territor mbulojmë zona me pasuri natyrore nga më të veçantat, por që më parë jo të gjitha kanë pasur vëmendjen e duhur nga ana e strukturave shtetërore”, pohoi ai.  Sipas Kolombit, puna e këshillit të qarkut, në bashkëpunim me strukturat shtetërore dhe private është përqendruar në marrjen e masave për rehabilitimin e infrastrukturës në të gjitha pikat turistike të qarkut, si dhe për publicitetin e duhur në adresë të tyre”. Duke bërë një panoramë të përgjithshme të turizmit në qarkun e Shkodrës, Kolombi vlerëson plazhet e detit Adriatik, pjesë e së cilës është edhe plazhi i Velipojës, 22 kilometra larg qytetit të Shkodrës, brigjet e liqenit apo lumit Buna. Duke dalë jashtë qytetit pikat e veçanta turistike janë ato malore, si e Thethit, Razmës, Bogës, Vermoshit, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›