Sllovenia: Vizat? BE duhet të ndihmojë Shqipërinë dhe Bosnjën
Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zhbogar, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që t‘i ndihmojnë Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërisë, në procesin për realizimin e kushteve për heqjen e vizave, raportojnë mediat sllovene. Bashkimi Europian tashmë e ka miratuar vendimin për heqjen e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe kjo, sipas ministrit Zhbogar, "ka nxitur reagim negativ në Bosnjë- Hercegovinë". Zyrtari slloven ka kërkuar që të ndihmohen Bosnjë- Hercegovina dhe Shqipëria, që deri në raportet e tetorit të arrijnë përparim më të madh, në mënyrë që pas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, t‘i arrijnë kushtet për liberalizim të vizave. Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, tha se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina kanë punë për të bërë derisa të përfitojnë liberalizim vizash me BE-në. Gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë në Slloveni, Maroni tha se nga vendet e rajonit, Maqedonia është në rrugë të mbarë, Serbia dhe Mali i Zi po bëjnë përparim, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja ende nuk kanë arritur standardet e kërkuara. Pas kësaj Maroni ka thënë se Italia është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë në mënyrë që pas fillimit të vitit 2010 të arrihen standardet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Dy nga kushtet kryesore janë pasaportat biometrike, si hap para në drejtim të sigurisë së dokumenteve të identitetit dhe menaxhimi i kufijve ku përfshihet edhe lufta kundër korrupsionit dhe trafiqeve e krimit të organizuar. Zyrtarët e Brukselit preferuan dje të komentojnë zhvillimet e fundit sa i takon zgjerimit të Bashkimit Europian. Siç raportojnë mediat e rajonit, shefi i diplomacisë suedeze, Karl Bild, tha se "të dyja shtetet janë fitues, duke komentuar marrëveshjen me të cilën Sllovenia i zhbllokoi negociatat e Kroacisë me BE-në". Me këtë deklaratë, shefi i diplomacisë së Suedisë, i cili është kryesues me Bashkimin Europian (BE), shmangu t‘i komentojë interpretimet e ndryshme në Zagreb dhe Lubjanë, rreth marrëveshjes që u arrit të premten. Sipas interpretimit të Kroacisë, tani çështja e kufirit është e ndarë nga negociatat për anëtarësim në BE dhe ato Sllovenia më nuk mund t‘i bllokojë. Lubjana pohon se pikërisht tani çështja e kufirit kontestues, para së gjithash, në det, tani për herë të parë lidhet me negociatat e Kroacisë për anëtarësim dhe se tani kjo çështje edhe zyrtarisht është pjesë e dokumentacionit europian. Duhet të pritet debat i të dyja palëve me rastin e marrëveshjes, por besimi që vendosën mes veti figurat kyçe në këtë proces hapi shpresë për të ardhmen - deklaroi Bild. Vlerësim thuajse identik dha sot edhe komisioneri për Zgjerim, Oli Rehn,, duke theksuar se është kyç besimi i rivendosur mes shteteve. Kjo do të mund të mundësojë zgjidhjen e kontestit rreth kufirit dhe vazhdimin e negociatave të Kroacisë me BE-në, vlerësoi Rehn.