E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Raporti nuk e justifikoi bojkotin e PS

Kundërshtarët e bojkotit të Parlamentit brenda Partisë Socialiste e lexojnë ndryshe nga kryetari i kësaj partie raportin përfundimtar të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR. Kastriot Islami, deputet i kësaj partie, tha dje se ajo çfarë thuhet në raport nuk e justifikon bojkotin e Parlamentit nga ana e grupit parlamentar. Madje, sipas tij, OSBE-ja rrëzoi akuzat për manipulim të zgjedhjeve. Islami pranoi se në raport vëren se në Shqipëri nuk u përmbushën standardet e zgjedhjeve, edhe pse ishte një prej kushteve kryesore të integrimit për në Bashkimin Europian. Ndërsa një tjetër mesazh i përcjellë është ai për forcat politike e në veçanti për opozitën. "Mesazhi i parë është që në Shqipëri standardet nuk janë arritur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në një proces të kthimit në një vend kandidat të BE-së dhe besoj se kjo do të përcaktojë të gjithë axhendën e bashkëveprimit me KE-në dhe me BE-në dhe për të garantuar në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhje tërësisht të lira", u shpreh Islami. Mesazhi i dytë, shtoi ai, është natyrisht për të gjithë forcat politike, por në mënyrë të veçantë për opozitën. "Në këtë raport nuk ka bazë dhe argumente të mjaftueshme që të justifikonim të gjitha qëndrimet që kanë çuar PS-në në bojkot", tha Islami. Ky i fundit është përfaqësues i grupit që kërkon hyrjen në Parlament të grupit parlamentar, pasi, sipas tyre, nuk ka arsye të forta që ajo të bojkotojë. Ky grup sapo ka nisur edhe një lëvizje politike, brenda partisë, e quajtur Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Sipas deklarimeve të këtyre deputetëve, bojkoti i Parlamentit është një ide dhe nismë direkte e kreut socialist, i cili po e përdor si një mënyrë që do i shërbejë për t‘u rizgjedhur kryetari partie. Madje, ata kanë kërkuar më parë që kreu aktual socialist të mos kandidojë për kryetar partie. Ndërsa Rama zyrtarizoi rikandidimin e PS-së, iu rikthye çështjes së bojkotit të Parlamentit. Pas një mbledhje Kryesie dhe më pas të grupit parlamentar, PS-ja vendosi të bojkotojë pa afat Parlamentin, duke shpalosur një paketë me kushte për mazhorancën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›