E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet të ndryshojë Kodi"

Partia Republikane vlerëson raportin e OSBE-ODIHR si realist. Anëtari i Kryesisë së PR-së, njëkohësisht sekretar i kësaj partie, Arjan Madhi, bëri publik dje faktin se raporti i ndërkombëtarëve certifikoi legjitimitetin e procesit zgjedhor. Madhi e cilësoi të pafalshme qëndrimin e opozitës për bojkotimin e Kuvendit, duke theksuar se "në këtë mënyrë opozita po përpiqet të mbjellë konfuzion, të vrasë shpresën dhe të dekurajojë çdo motivim të zgjedhësve që janë aktorët më të rëndësishëm dhe përfituesit më të drejtpërdrejtë nga plotësimi i standardeve të këtyre zgjedhjeve". Anëtari i Kryesisë së PR-së shtoi se "në këtë raport evidentohet qartazi, se nuk ka prova për manipulim të këtyre zgjedhjeve dhe se ndërkohë ende deri më sot askush nga opozita nuk ka paraqitur prova për të argumentuar pretendimin e saj". Si përfaqësues i PR-së, Madhi theksoi se Partia Republikane angazhohet të bashkojë kontributet e saj, duke ftuar të gjitha forcat e tjera politike për të ndërtuar një axhendë të përbashkët në funksion të ndryshimeve të kuadrit zgjedhor. "Vlerësoj dhe përshëndes përfundimet e raportit final të OSBE-së, duke i konsideruar ato platformën e një axhende të shpejtë, efikase dhe transparente në shërbim të përmirësimit të Kodit dhe proceseve të ardhshme zgjedhore", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›