E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri Viktor Doda: “Të verifikohet koncesionari i bakrit, ka shkelur kontratën me shtetin”

Viktor Doda flet për gazetën: “Bllokuam kompaninë në vitin 2005”

Albert Gjoka

Kompania që ka koncesionarin e bakrit në vendin tonë ka shkelur kushtet e përcaktuara në marrëveshje dhe duhet t’i nënshtrohet verifikimit nga strukturat e Ministrisë së Ekonomisë. Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën Viktor Doda, ish-ministri i Industrisë dhe Energjetikës, i cili ka theksuar se në vitin 2005, koncesionarit turk “Ber-Oner” i është bllokuar aktiviteti pas një akt-kontrolli që i është bërë. “Jam larguar nga Ministria në shtator 2005, duke e mbajtur të bllokuar përkohësisht koncesionin e bakrit, pasi nuk ishin respektuar kushtet e parashtruara në marrëveshje”, - thotë Doda. Ai ngre dy probleme serioze: së pari, mënyra e shfrytëzimit të minierës së Munellës dhe, së dyti, kushtet e rikuperimit të mineralit në pasurim. Edhe në statusin e specialistit të kësaj industrie, Doda thotë se parametrat e marrjes së mineralit të bakrit, por edhe të metaleve të tjera, si ari, apo argjendi, gjatë pasurimit kanë qenë shumë të ulëta krahasuar me ato të përcaktuara në kontratë. Ai vlerëson deklaratën e ministrit Prifti për verifikim të koncesioneve dhe kërkon nga Ministria që të ushtrojë kontrolle në mënyrën se si përdoret sot pasuria kombëtare. Madje, ish-ministri Doda thotë qartë se firma që ka sektorin e bakrit e ka shkelur hapur kontratën me shtetin shqiptar, pasi nuk ka hapur ende minierën e Lak Rroshit, e parashikuar për të filluar punë para shumë kohësh.

Zoti Doda, ju keni qenë për disa vite ministër i Industrisë dhe Energjetikës. Duke u bazuar te përvoja juaj, sa të leverdishme financiarisht kanë qenë për ekonominë tonë koncesionet minerare që janë dhënë gjatë këtyre viteve?

Koncesionet që janë dhënë gjatë vitit 2000-2001, sidomos për industrinë minerare, u panë si një zgjidhje për të ofruar investitorë të huaj në tregun vendas. Për të qenë realist, edhe atëherë, por edhe tani, shteti nuk i ka mundësitë për të investuar në teknologji apo fusha të tjera. Konkretisht, në industrinë minerare, qoftë leja e shfrytëzimit, qoftë koncesioni është parë si zgjidhja më e mirë. Unë vazhdoj ti qëndroj ende këtij opsioni. Por, ka rëndësi mënyra sesi hartohen kontratat; kushtet që vihen për zbatimin e saj, dhe si monitorohen koncesionet gjatë shfrytëzimit të tyre. Kontratat janë hartuar në përputhje të plotë me legjislacionin, duke u mbështetur te ligji i koncesioneve, qoftë për industrinë e kromit, qoftë edhe për atë të bakrit. Por, duhet të pranojmë se në monitorimin e kontratave, ka pasur mangësi dhe vazhdon të ketë mangësi edhe sot.

A ka pasur monitorim të koncesioneve gjatë kohës tuaj si ministër?

Ne i kemi monitoruar koncesionet në bazë të ligjit të vitit 1995. Në kontratë ishte që OSHA-ja, e cila përfaqësohej në atë kohë nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, të monitoronte të gjitha koncesionet, hap pas hapi. Pra, të monitoronte investimet e parashikuar në kontratë. Le të marrim rastin e koncesionit të bakrit; këtu ishte parashikuar hapja e minierës së Munellës, me një grafik të posaçëm. Këtu ka pasur një kusht që të bëhej hapja e saj që t’i shërbente edhe perspektivës për shfrytëzimin e gjithë burimit minerar në atë zonë. Po kështu, parashikohej edhe hapja e minierës së Lak Rroshit. Në marrëveshjen koncesionare përfshihej edhe rehabilitimi i gjithë fabrikës së pasurimit të bakrit në Fushë-Arrës. Ky koncesion ka nisur punë në fillim të vitit 2004 dhe për monitorimin e tij, OSHA kishte detyrë që të kontrollonte çdo gjashtë muaj ecurinë e zbatimit të kontratës. Duke u bazuar në këto kontrolle, në fillimin e vitit 2005 kemi arritur në konkluzionin se nuk po zbatohej grafiku i investimeve, ashtu siç ishte parashikuar në koncesion. Edhe kur është vënë në punë Fabrika e Pasurimit në Fushë-Arrëz, u vunë re probleme. Edhe për këtë, ka një akt kontrolli, ku është pezulluar aktiviteti i koncesionarit deri në riparimin e nevojshme për këtë çështje. Në atë kohë pati probleme edhe mes aksionerëve të koncesionarit.

A ka pasur modifikime apo ndryshime ligjore të marrëveshjes koncesionare të industrisë së bakrit që është miratuar në Kuvend?

Ne nuk kemi bërë asnjë hap tjetër përveç kontratës, sepse kontrata i parashikonte të gjitha. Sigurisht, në kontratë, kompania ka pasur edhe disa objekte të tjera; si Metalurgjinë dhe Uzinën e Rubikut, dhe sipas marrëveshjes, koncesionari do të shprehej edhe për këto objekte. Ai u prononcua, duke thënë se nuk mund ta vinte në punë Uzinën e Rubikut, për shkak të teknologjisë së vjetruar dhe vënia në punë e saj do të sillte probleme mjedisore. Dhe realisht, sipas kontratës, koncesionari do të negocionte me Ministrinë nëse e mbante ose jo këtë objekt. Meqenëse në atë kohë koniunkturat e bakrit në tregjet ndërkombëtare ishin të ulëta dhe investimi për industrinë e prodhimit të bakrit në Rubik arrinte në rreth 30 milionë dollarë, nuk dilte rentabël me çmimin që kishte në atë kohë. Për këtë arsye, kompania u tërhoq nga metalurgjia dhe uzina në Rubik dhe këto objekte i kaluan në pronësi shtetit.

Po realisht, çfarë mori në administrim koncesionari i bakrit?

Kompania mori në administrim minierën e Munellës, minierën e Lak Rroshit, fabrikën e pasurimit në Fushë-Arrës dhe fabrikën e pasurimit në Mjedë. Po ashtu, kishte detyre që të kryente një studim për rezervat e vendburimit të Karmës, i cili ishte i pahapur dhe metalurgjinë dhe uzinën e Rubikut. Duke qenë se sipas kontratës, objektet si ato në Rubik dhe në Mjedë, miniera e Karmës, nuk i përmbushnin dot kushtet ekonomike për të dalë me fitim, koncesionari i tërhoq prej tyre.

Por, sipas koncesionit të miratuar me ligj në Parlament, kompania kishte detyrim për të investuar rreth 19 milionë dollarë në këtë sektor, të ndarë në tre faza. A i ka përmbushur këto detyrime ligjore kompania gjatë asaj periudhe?

Për të qenë korrekt në argumentet që japim: Duke qenë se kompania u pozicionua në hapjen e minierës së Munellës dhe të Lak Rroshit si dhe në ristrukturimin e Fabrikës së Pasurimit në Fushë-Arrës, në atë periudhë kompania investoi 7-8 milionë dollarë, duke qenë në përputhje me të gjithë objektivat e parashikuara në koncesion për këto dy objekte. I gjithë defekti që ka qenë në atë kohë lidhej me rikuperimin në fabrikën e pasurimit. Sipas kushteve të kontratës, do të kishte një teknologji që të rikuperonte (që merrte bakër nga pasurimi i mineralit) rreth 87-90 për qind. Realisht, teknologjia që futi koncesionari nuk e kalonte 70 përqindëshin. Ndoshta mund të ishte më i ultë.

Ju thatë që e keni bllokuar përkohësisht në vitin 2005. Pse erdhi kjo masë bllokimi dhe çfarë reagimi pati më vonë?

Masa e bllokimit lidhej me rikuperimin e bakrit në Fabrikën e Pasurimit. Pra ai nuk po zbatonte kontratën. Përveç rikuperimit të bakrit, i njëjti problem ishte edhe me rikuperimin e arit dhe argjentit që ishte në një masë shumë të ulët; rreth 20-25%.
Të mos harrojmë që vendburimi i Munellës është polimetalor. Trupi që po shfrytëzonte kompania turke në atë kohë ishte rreth 1 milion tonë kishte përmbajtje bakri 5% për ton, ari 3-4% për tonë, dhe argjenti 65 gram për tonë. Duke qenë se rikuperimi i bakrit ishte shumë i ulët, atëherë i kërkuam koncesionarit që të përmirësonte treguesit e rikuperimit; ose duhet të rikthehen materialet që kishte hedhur në damë për t’i pasuruar sërish. Ky akt-kontrolli iu dha kompanisë dhe iu bllokua derisa të realizonte kushtet. Po ashtu, iu ndalua edhe eksportimi i kontratës deri në realizimin e kushteve. Deri në periudhën që unë kam qenë në krye të ministrisë, konkretisht, deri në shtator të vitit 2005, koncesionari është mbajtur i bllokuar.
Por, këtu do të nënvizoja edhe një problem tjetër që ka të bëjë me hapjen e punimeve në minierën e Munellës. Në asnjë mënyrë koncesionari nuk duhej të shfrytëzonte vetëm trupin e pasur prej 1 milionë tonësh rezerva dhe pastaj teknikisht ta lërë minierën në kushte të vështira, në mos të pamundura për shfrytëzimin e pjesës tjetër të rezervave që llogaritet rreth 9 milionë tonë, me një përmbajtje që shkon në 1.7 apo 1.8 për qind bakër. Ky ka qenë objeksioni ynë për kompaninë, e cila mund të shfrytëzojë burimin e pasur prej 1 milion tonësh pa rrezikuar shfrytëzimin më vonë të pjesës tjetër të rezervave. Për gjendjen sot unë nuk mund të flas me kompetencë.

Ministri i ri i Energjetikës bëri një deklaratë pak ditë më parë, duke u shprehur se do të verifikohen të gjitha koncesionet. Në këtë gjendje, çfarë do t’u sugjeronit ministrit përsa i përket koncesioneve në industrinë e bakrit?

Realisht, unë e përshëndes këtë deklaratë të ministrit, por uroj dhe shpresoj që kjo të mos mbetet vetëm një deklaratë. Menjëherë pas kësaj deklarate, mendoj se duhet të ngrihen grupet e punës, në strukturat e Ministrisë, por edhe të institucioneve të tjera në vartësi të saj që të kalojnë në sitë gjithë veprimtarinë e kompanisë, edhe përsa i përket shfrytëzimit, por edhe pasurimit.
Jam i bindur që nëse këto dy probleme që përmenda më lart ekzistojnë edhe sot e kësaj dite, - pra mënyra e shfrytëzimit të materialit në Munellë, apo mënyra e rikuperimit të mineralit në Fabrikën e Pasurimit, - menjëherë koncesionari duhet bllokuar dhe nuk duhet lejuar që të vazhdojë veprimtarinë e tij. Ajo është pasuri kombëtare dhe nuk lejohet nxjerrja e mineralit nga miniera dhe të përdorë një skemë teknologjike gjatë pasurimit ku hidhet një pjesë të konsiderueshme të bakrit, arit apo argjendit në lumë. Në këtë pikë, rikuperimi i mineralit duhet të jetë në kushtet që ka kontrata, në masën 87-90%. Po ashtu, të garantohet edhe shfrytëzimi i gjithë sasisë së rezervave të mineralit në minierën e Munellës.
Le të sqarojmë një detaj teknik. Nëse trupi i pasur prej 1 milion tonësh në Munellë kalon direkt në procesin e shkrirjes, rikuperimi i metalit arrin në masën 92-93 për qind. Por edhe rikuperimi i arit dhe argjendit përmes këtij procesi shkon në masën 95-97 për qind. Në kohët e sotme, kur çmimet në bursë të bakrit, arit dhe argjendit janë rritur shumë, kompanisë duhet t’i vihet ky kusht: ose duhet të rikuperohet mineralin në fabrikë sipas kushteve të kontratës, ose t’i kërkohet koncesinarit që të investojë për ngritjen e një linje të shkrirjes së mineralit në Rubik apo në ndonjë vend tjetër që ajo mendon se është i përshtatshëm. Këtu është rreziku jo vetëm për trupin e pasur të mineralit në Munellë, por edhe për rezervat e tjera që janë në Lak Rroshi. Këtu duhet të themi se koncesionari është i vonuar, sepse ka shkelur afatet e parashikuara në kontratë për hapjen e minierës së Lak Rroshit dhe duhet penalizuar për këtë. Ai e ka pasur grafik në kontratë se kur do të hapet kjo minierë. Aty është një burim i pasur me 4.5 për qind bakër për ton. Kjo bazohet në informacionet që kam aktualisht për minierën e Lak Rroshit.

Së fundi, zoti ish-ministër, ka pasur disa qëndrime të specialistëve të industrisë së bakrit në lidhje me shkatërrimin e një pjese të linjave të Uzinës së Rubikut. A ishte zgjidhje e drejtë e qeverisë demolimi i një pjese të tyre, apo duhej investuar për ristrukturimin dhe vënien e tyre në ripërdorim?

Duhet të pranojmë që teknologjia në Metalurgjinë (shkrirjen) e Rubikut ka qenë jashtëzakonisht e prapambetur. E gjithë sasia e squfurit gjatë procesit të shkrirjes së bakrit dilte në atmosferë, dhe pasojat në mjedis ishin të rënda. Aty kishte dy rrugë: ose të ndërtohej një metalurgji e re, ku të mendohej që squfuri të mos hidhej në atmosferë dhe të përpunohej për nënprodukte të tjera: ose të demolohej. Në kohën kur ne kemi negociuar me kompaninë, kostoja për rindërtimin e Metalurgjisë arrinte në rreth 30 milionë dollarë. Me pak investime, Uzina e Rubikut mund të qëndronte në punë. Edhe me skemën që japin inxhinierët metalurgji, që në territorin ku ndodhet sot uzina, aty ku është rafinimi dhe përpunimi përfundimtar, është mundësia që të ndërtohet një furrë shkrirje, me të gjithë parametrat e kërkuara mjedisore.
Një investitor strategjik që është i interesuar për industrinë e bakrit; jo vetëm për rezervat e Munellës, por edhe për rezervat e Perlatit dhe të burimeve të tjera të bakrit, duke parashikuar edhe koniunkturën e tregut të çmimit të bakrit, ka leverdi ekonomike që në Uzinën e Rubikut të ngrihet një repart i shkrirjes së bakrit dhe më pas nga shkrija, bakri kalon në cikël të plotë përpunimi, duke i marrë edhe elementët shoqërues të tij; qoftë arin, qoftë argjendin. Ka një problem tjetër që ka të bëjë me përmbajtjen e zinkut në burimin e Munellës, por për këtë duhet të thonë fjalën e tyre ekspertët. Ne ende nuk kemi arritur që ta marrim këtë metal as nga pasurimi dhe as nga shkrirja e bakrit.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›