Meta: “Presim opozitën në Kuvend për të miratuar Marrëveshjen e kufijve me Greqinë”
Eljona Ballhysa
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e ka cilësuar Marrëveshjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë një marrëveshje që është në favor të Shqipërisë. Meta i ka cilësuar shpifje dhe trillime të gjitha aludimet se qeveria ka lëshuar territor detar në favor të Greqisë në përcaktimin e kësaj marrëveshjeje. Madje Meta u shpreh se në kuadër të transparencës, qeveria ka vendosur të mos e miratojë Marrëveshjen në Parlament deri në pjesëmarrjen e opozitës në të, në mënyrë që t’i jepet mundësia opozitës që të njihet me përmbajtjen e Marrëveshjes. Këtë deklaratë ministri Meta e bëri gjatë takimit të zhvilluar dje me zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Droutsas. Gjatë këtij takimi dy politikanët kanë folur për bashkëpunimin me interes të ndërsjellë midis dy vendeve, me synimin e integrimit sa më të shpejtë ta rajonit të Ballkanit në Bashkimin Europian. Zëvendësministri Droutsas ka shprehur mbështetjen e pakursyer të Greqisë për të çuar përpara proceset integruese për të gjitha shtetet e Ballkanit dhe veçanërisht për Shqipërinë.
Kufiri
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë u shpreh se Marrëveshja e kufijve detarë me Greqinë është transparente dhe se qeveria nuk ka asnjë qëllim që ta mbajë të fshehtë atë. Madje Meta deklaroi se kjo marrëveshje është në favor të Shqipërisë, e cila synon integrimin në BE. “Ne kemi paraqitur në mënyrë transparente të gjitha aktet e qeverisë shqiptare lidhur me Marrëveshjen dhe se si është proceduar me të midis dy vendeve. Dua t’i informoj të gjithë ata që mund të kenë qenë sensitivë për shkak të frymës aspak pozitive që është përcjellë kjo marrëveshje në media. Parlamenti nuk i ka bllokuar procedurat për ratifikimin e Marrëveshjes, por Parlamenti edhe për arsye të atyre ndjeshmërive të krijuara, për fat të keq, për shkak edhe të asaj fushate disinformuese që bëjnë edhe drejtues të opozitës, Parlamenti është treguar i hapur për t’i dhënë më shumë kohë opinionit publik dhe atyre që janë të interesuar për të kuptuar që kjo është një marrëveshje në interes të të dyja vendeve dhe mund t’ju them se është më shumë në interesin tonë, sesa të Greqisë, pasi ne duam të bëhemi anëtar të BE-së. Do të ishte mirë që në Parlament të ishte dhe vetë opozita, meqenëse ajo është në krye të këtij instrumentalizimi dhe se nuk kemi arsye ta kalojmë këtë marrëveshje me nxitim dhe pa bërë transparencën e nevojshme, pa opozitën në Parlament”, - është shprehur Meta.
Zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë e cilësoi këtë marrëveshje me interes reciprok për të dyja vendet fqinje. “Ne e konsiderojmë që kjo marrëveshje është në interes reciprok të të dyja vendeve. Ka të bëjë me kuadrin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe përbën një hap të mirë në përpjekjet që po bën Shqipëria drejt perspektivës së saj europiane”, - është shprehur Dimitris Droutsas.
Bashkëpunimi
Dy politikanët, gjatë takimit, kanë folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha të ndryshme. Droutsas garantoi se Greqia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm, Meta ai vlerësoi se angazhimi për reformat është i kënaqshëm. Droutsas theksoi se e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Europian dhe se beson se i gjithë rajoni do të integrohet në BE në vitin 2014. Më tej ai theksoi se minoritetet dhe emigrantët janë një urë miqësie mes dy vendeve. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm , Ilir Meta, tha se qeveria "Papandreu" në Greqi ka përpiluar në axhendë për të përshpejtuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Meta pohoi se Shqipëria ka plotësuar kriteret për të përfituar liberalizimin e vizave brenda vitit 2010. Ai tha se Greqia është një partnere e shkëlqyer politike për vendin tonë dhe një nga mbështetëset kryesore për anëtarësimin në NATO. “Greqia është një faktor kryesor mbështetës në ekonomi e tregti”, - theksoi Meta. Zëvendëskryeministri bëri me dije se mes dy vendeve do të ketë një komision të përbashkët ekonomik për të tërhequr investimet.
Topi në Samitin Ekonomik në Sarajevë bën thirrje për lobim rajonal për energjinë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në fjalën e mbajtur në Forumit të 6-të Ekonomik Rajonal për Europën Juglindore, që po zhvillohet në Sarajevë, vuri theksin në organizimin e qeverive të vendeve të rajonit dhe lobimin e tyre për të përfituar nga marrëveshjet që sjellin përfitimin e gazit dhe burimeve të tjera energjetike. Presidenti Topi shprehu vlerësimet për organizimin dhe rëndësinë e mbajtjes së këtij forumi në kuadër të bashkëpunimit rajonal ekonomik. Kryetari i shtetit vuri në dukje posaçërisht se “ka ardhur pikërisht koha që qeveritë e vendeve të Ballkanit të bëjnë më shumë për projekte konkrete të bashkëpunimit në sektorin e energjetikës, në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit, investime të përbashkëta në prodhimin e energjisë, krijimin e një sistemi të unifikuar energjetik, përcaktimin e drejtimit të zhvillimit të energjive të specializuara mbi bazën e efektivitetit dhe eficiencës që sigurojnë burimet në secilin prej vendeve tona, si dhe për të lobuar dhe përgatitur së bashku projektet e furnizimit me gaz”, - është shprehur Topi. Pasi është ndalur në disa prej problemeve më të spikatura me të cilat përballet në përgjithësi ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Topi ka shprehur mendimin se “bashkëpunim i shpejtë dhe efektiv në fushat e mësipërme, para së gjithash, do t’i integronte në mënyrë të natyrshme tregjet vendore të Ballkanit në kuadër të CEFTA-s, për shkak të karakteristikave pothuajse të ngjashme, kusht paraprak e i domosdoshëm ky për integrimin e secilit vend të Ballkanit në Bashkimin Europian, për shkak të kërkesës reale të zbatimit të standardeve në shtetet anëtare të BE-së”.
Në vijim, presidenti Topi nënvizoi se “politika e sotme në Ballkan nuk mund të jetë më arti i sherrit që e kërkon atë edhe atje ku ai nuk ekziston, që e diagnostikon atë sipas oreksit dhe interesave të vogla që nxiten dhe frymëzohen nga formula të gabuara historike për të zgjidhur çështje të tilla të rëndësishme. Politika e sotme në Ballkan është bashkëpunimi konkret pa dallim ndërmjet të gjitha vendeve tona”, - u shpreh kryetari i shtetit. Në këtë këndvështrim, presidenti Topi tha se shpresonte që ky takim të realizojë qëllimet e tij, por në të njëjtën kohë shprehu edhe njëherë bindjen se “mungesa e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe e zërit të tyre është një ngërç që duhet të kapërcehet. Nuk mund të mbyllim sytë e të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë në kufijtë tanë dhe as të përpiqemi të pengojmë një rrjedhje normale të ngjarjeve, të cilat jo vetëm që mbyllën njëherë e përgjithmonë krizën më të madhe politike dhe ushtarake të rajonit tonë, por krijuan baza të shëndosha për stabilitet, paqe dhe siguri”, - vuri në dukje Presidenti i Republikës. Duke e mbyllur fjalën e tij në këtë forum, kryetari i shtetit shqiptar u shpreh optimist për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Në kushtet e krijuara nga ndikimi i krizës ekonomike botërore, ne duhet t’u hapim rrugën mundësive duke i shmangur vështirësitë nga vizioni ynë i përbashkët: integrimi në Bashkimin Europian”, - theksoi presidenti. Forumi i ardhshëm ekonomik rajonal do të mbahet vitin që vjen në Shqipëri nën kujdesin e presidentit Topi.
Topalli takon zëvendëspresidentin e Senatit të Spanjës
“Spanja do të jetë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori dje mbështetjen e zëvendëspresidentit të Senatit të Spanjës, Isidre Molas, për procesin integrues të Shqipërisë në BE. Spanja pritet të marrë kryesinë së radhës së BE në muajin janar të vitit të ardhshëm.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë në emër të Kuvendit dhe të saj personal për mbështetjen e rëndësishme që Senati dhe shteti spanjoll kanë dhënë për integrimin e Shqipërisë, ku së fundi në Bruksel u miratua aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria e konsideron Spanjën një vend mik dhe theksoi se vizita e zotit Molas, e para në Shqipëri, është shumë e rëndësishme për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe. Senatori spanjoll, duke shprehur kënaqësinë e veçantë për vizitën në Shqipëri, vlerësoi progresin e arritur dhe tha se periudha e negociatave me BE-në është esenciale. Ai siguroi kryetaren e Kuvendit për orientimin dhe ndihmën që shteti i Spanjës do t’i ofrojë Shqipërisë në këtë proces integrimi, për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Integrimi i Shqipërisë do të jetë në axhendën tonë të përbashkët gjatë kryesisë së radhës në BE, në janarin e vitit të ardhshëm”, - tha zoti Molas. Kryetarja e Kuvendit ftoi biznesin spanjoll për të investuar në Shqipëri, në energji, turizëm apo infrastrukturë, duke theksuar se investimet në këtë vend janë investime të rëndësishme për vetë të ardhmen e rajonit.
21 Nentor 2009