Tregtia me BE-në, qeveria ul vetëm 1.3 për qind tarifat doganore
Ervin KOÇI
Qeveria shqiptare ka vendosur që të reduktojë vetëm me 1.3 për qind tarifat doganore për mallrat dhe produktet me vendet e BE-së për vitin e ardhshëm. Me gjithë kërkesën e përsëritur nga europianët për reduktim në një masë më të madhe të taksave dhe tarifave doganore me vendet e BE-së, pikë kjo e kërkuar edhe në MSA, qeveria shqiptare duket se këtë ulje do ta bëjë gradualisht. Reduktimi i tarifave doganore si rezultat i funksionimit të tregtisë së lirë me vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e Rajonit, do të sjellë një mungesë të ardhurash rreth 800 milionë lekësh në buxhetin e shtetit për vitin 2010. Sipas Ministrisë së Financave për vitin 2010 parashikohen të mblidhen nga taksa doganore rreth 7.7 miliardë lekë, me një rënie prej 1.5 për qind krahasuar me vitin 2009. Kështu si pasojë e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, tarifa doganore mesatare për vitin 2010 llogaritet në 1.3 për qind nga 1.68 për qind që ishte në vitin 2009. Ministria e Financave sqaron se, vazhdimi i reduktimit të taksës doganore si rezultat i zbatimit të angazhimeve tarifore me marrëveshjen e ndërmjetme BE-Shqipëri, CEFTA, MTL me Turqinë do të ketë efekt mbi nivelin e të ardhurave nga kjo taksë për 2010.
Ulja e të ardhurave
Ministria e Financave parashikon që vlerën e munguar nga rënia e tarifave ta kompensojë me rritjen e parashikuar të volumit dhe të vlerës së importeve nga këto vende. Për periudhën 9-mujore, të ardhurat nga taksa doganore ishin rreth 5.7 miliardë lekë nga 4.5 miliardë të planifikuara. Ulja e tarifave doganore për shkak të angazhimeve për liberalizimin e tregtisë janë reflektuar në një parashikim prej rreth 823 milionë lekësh më pak në vitin 2009, kundrejt faktit të vitit 2008. Niveli mesatar i taksës doganore për këtë periudhë është 1.8 për qind, ndërsa një vit më parë ishte 2.44 për qind. Kështu zbatimi i marrëveshjes së integrimit, ka dhënë efektet e saj në shkëmbimin e mallrave bujqësore të vendit tonë me vendet e Bashkimit Evropian. Si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshjeje gjatë viteve 2007-2008 shkëmbimi i mallrave bujqësore, ka njohur një intensitet të lartë. MSA-ja me Bashkimin Evropian parashikon vendosjen e një zone tregtie të lirë mes Komunitetit Evropian dhe Shqipërisë, që do të thotë se palët do të krijojnë një hapësirë të përbashkët ku mallrat, personat, shërbimet dhe kapitalet do të qarkullojnë lirshëm, pa barriera fizike dhe teknike.
Tregtia e lirë
Volumi i shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore me Bashkimin Evropian për vitin që shkoi, ka arritur 388 milionë euro nga 275 milionë që ka qenë në vitin 2007, me një rritje prej 30% në krahasim me vitin 2007. Eksporti i produkteve bujqësore shqiptare drejt vendeve të BE-së gjatë vitit që shkoi ka njohur një rritje në masën 50%, e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, duke arritur në vlerën 46 milionë euro, kundrejt 23 milionë eurosh të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vendet më kryesore brenda grupit të BE-së në shkëmbimet tregtare, vazhdojnë ta kryesojnë Italia me 44% në import dhe 77.6% në eksport, në vend të dytë Greqia, 24% në import dhe me11% në eksport, Gjermania me 10% në import dhe 3.4% në eksport. Peshë të rëndësishme zënë edhe Spanja, Hungaria, Qipro, Austria etj. Vlen të përmendet edhe tregtia me vendet e CEFTA-s që në vitin '08 ka njohur një rritje të lartë shkëmbimesh tregtare të mallrave, ku volumi është rritur me 46%, duke arritur në vlerën 419 milionë euro.
Taksa e sheshtë, ndikime pozitive në buxhet
Si rezultat i ndikimit pozitiv që ka dhënë taksa e sheshtë, të ardhurat personale arritën në fund të nëntëmujorit 2009 në 20.3 miliardë lekë nga 17.6 miliardë lekë të planifikuara, ose rreth 2.6 miliardë lekë më shumë, njoftoi Ministria e Financave. Sipas zërave të veçantë; tatimi mbi pagat e sektorit jopublik, ka kontribuar në ketë rritje me rreth 5.7 pikë përqindje, tatimi mbi pagat e sektorit publik me rreth 3.3 pikë përqindje dhe tatimi mbi të ardhurat nga interesat me rreth 4 pikë përqindje ose 37.5% rritje kundrejt 2008. Sipas Ministrisë së Financave, rezultati i të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale për përiudhën është ndikuar dhe nga tatimi prej 10% i mbajtur në burim mbi vlerën e privatizimeve si shitja e “ARMO”-s dhe “OSSH”-së, që janë kryer në fund të vitit 2008. Një pjesë e këtyre të ardhurave janë mbledhur në muajt e fundit të 2008 dhe pjesa tjetër gjatë 2009. Efekti mbi të ardhurat për këtë vit është rreth 1.8 miliard lekë. Rritja e të ardhurave nga kjo taksë, i pastruar nga efekti i të ardhurave nga privatizimet është rreth 23% kundrejt të njëjtës periudhë të 2008.
.
23 Nentor 2009