Tirana në shtetrrethim, mijëra forca policore për mitingun e opozitës
TIRANË – Tirana ka regjistruar mbrëmë rrethimin policor më të madh të 10 viteve të fundit. Me mijëra punonjës policie, të ndihmuar nga agjentët antikrim të të gjitha strukturave të Ministrisë së Brendshme, kanë marrë pjesë në operacionin për garantimin e rendit dhe të sigurisë gjatë zhvillimit të protestës. Burime për gazetën bëjnë të ditur se kanë qenë të paktën 1000 policë, pa llogaritur agjentët dhe punonjësit e tjerë të shërbimeve të specializuara në Ministrinë e Brendshme. Sipas tyre, gjatë pasdites së djeshme u morën masa shtesë në kohën që Policia u tërhoq, duke lënë të lirë vazhdimin e protestës edhe pas orës 20:00. Brenda pak kohësh Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës ka shpërndarë dy njoftime, duke njoftuar për masat e marra dhe ndryshimin e lëvizjeve në kryeqytet për shkak të protestës që po zhvillojnë partitë e opozitës dhe mbështetësit e tyre në bulevardin kryesor.
Masat
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë përgatitur një plan masash prej disa ditësh për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës së opozitës. Të paktën 1 mijë forca policore janë përfshirë në skemën e ruajtjes së qetësisë dhe të institucioneve. Po ashtu, në këtë plan janë inkuadruar edhe agjentët e Antikrimit, si dhe punonjës të strukturave dhe shërbimeve të tjera. Që prej mesditës së djeshme, patrulla policie u ngritën në të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit. Në të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve u dhanë udhëzime për të mbajtur në kontroll fluksin e lëvizjes së mbështetësve të opozitës. Në mesditën e djeshme, zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, njoftoi itinerarin e lëvizjes në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit” deri në afërsi të Kryeministrisë. Tubimi do të vazhdojë edhe përgjatë datave 21 dhe 22 nëntor 2009 në një pjesë të bulevardit ”Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Lanës deri në afërsi të Kryeministrisë. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike dhe garantimin e zhvillimit normal të këtij tubimi”, - tha Katragjini në deklaratën e djeshme.
Policia u shpreh se kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për kufizime të thella të qarkullimit rrugor në kryeqytet (shih zonat ku ka trafik të kufizuar në bulevardin kryesor të Tiranës). Segmenti nga ura e Lanës deri te godina e Këshillit të Ministrave do të jetë e bllokuar deri më datë 22 nëntor pasdite, pasi në këtë zonë janë vendosur protestuesit.
Protesta
Pas kërkesave të vazhdueshme të opozitës dhe sinjaleve që lëshuan ndërkombëtarët, qeveria i hapi dritën jeshile zhvillimit të protestës së opozitës. Ambasada Amerikane bëri një deklaratë, duke kërkuar që ajo të jetë paqësore dhe të mos cenojë të drejtat e të tjerëve. “U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, si ata që marrin pjesë në protesta, edhe ata që kanë përgjegjësi të ruajnë rendin, të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre me qetësi dhe respekt”, - thuhet në deklaratën për shtyp të lëshuar nga Ambasada Amerikane.
Gjatë gjithë natës, bashkë me mijëra protestues, kanë qenë edhe forcat e rendit, të cilat kanë kryer shërbimin për garantimin e rendit dhe qetësisë.
Mitingu i djeshëm shënoi numrin rekord të policëve që kanë marrë pjesë në garantimin e rendit. Madje, ai tejkaloi edhe numrin e punonjësve të rendit që kanë marrë pjesë në protestat e Berishës të zhvilluara gjatë vitit 2001.
ZONAT E KUFIZUARA PËR TRAFIK
Sheshi “Skënderbej” në qendër të Tiranës, më datë 20 nëntor 2009 - ora 15:00-17:00
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, më datë 20 nëntor 2009, ora 15:00 dhe në përfundim të mitingut
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Lanës deri në afërsi të Kryeministrisë, datat 21 – 22 nëntor
MSH, shërbim urgjence 24 orë për protestuesit e opozitës
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të protestuesve në mitingun e PS-së shërbim urgjence 24 orë gjatë 3 ditëve të zhvillimit të mitingut. Ministria e Shëndetësisë dha urdhër që drejtoritë e QSUT-së, spitalit universitar “Shefqet Ndroqi“, si dhe spitaleve universitare obstetrik - gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë“ dhe “Koço Gliozheni“, të marrin masa për pritjen dhe mjekimin e rasteve të mundshme që mund të paraqiten në spitalet përkatëse. Për zbatimin e këtij urdhri, Ministria e Shëndetësisë ka ngarkuar Drejtorinë e Shëndetit Publik, Drejtorinë e Planifikimit Spitalor dhe poliklinikat. Drejtori i Politikave pranë MSH-së, Pëllumb Pipero, theksoi se deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për mosgrumbullimin e njerëzve për arsye të një epidemie të mundshme nga virusi sezonal dhe A/H1N1 nuk ka qenë politike. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë distancohet nga çdo politizim apo keqinterpretim i deklaratës së bërë nga ministri i Shëndetësisë mbi situatën epidemike në vend.
Mediat e huaja për protestën e opozitës
Disa media të huaja kanë pasqyruar mbrëmë protestën që organizoi opozita në Tiranë. Radio “Europa e lirë” ka shkruar një artikull me titull: “Rama: Hapje e kutive, ose zgjedhje”. “Partitë opozitare në Shqipëri po zhvillojnë një protestë para Kryeministrisë. Protesta, që filloi rreth orës katër të pasdites, do të zgjasë 3 ditë dhe 3 net”, - thuhet në lajmin e radios. Në rast të mosplotësimit të kërkesës për hapjen e kutive Edi Rama tha se opozita angazhohet “për një aksion politik, që do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme”, - thotë lajmi i publikuar në sajtin e radios “Europa e lirë”.
Ndërsa VOA ka shkruar lajmin me titull: “Protesta e opozitës në kryeqytet”. “Në Shqipëri opozita nisi një protestë në kryeqytet, pas disa manifestimeve të organizuara në disa nga qytetet kryesore të vendit”, - raporton “Zëri i Amerikës”. Këtë herë protesta e saj, që lidhet me çështjen e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të votave të 28 qershorit pritet të zgjasë tri ditë”. Ndërsa edicioni në shqip i BBC-së raporton fillimin e protestës: “Socialistët protestojnë në Tiranë”. “Opozita në Shqipëri, në protestë për manipulimin e votave”, - shkruan AP, e cila thotë se mijëra mbështetës të opozitës në Shqipëri protestuan të premten para ndërtesës së qeverisë duke kërkuar një hetim në lidhje me dyshimet për manipulimin e rezultateve të votimit.
Një raportim ndryshe nga të tjerët është ai i DPA-së, ku thotë në titull: “Opozita shqiptare kërkon përsëritjen e zgjedhjeve të 28 qershorit”. Sipas syrit të reporterit të saj, opozita në Shqipëri mblodhi rreth 3 mijë mbështetës të premten në mjediset e jashtme para ndërtesës qeverisëse në Tiranë, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve të qershorit. Por, agjencia gjermane e lajmeve “DPA” u referohet mediave në vend. Me dhjetëra agjenci të huaja lajmesh kanë marrë raportimet e AP dhe Reuters, duke e trajtuar në mënyra të ndryshme. Protesta e opozitës është pasqyruar edhe nga agjencitë dhe mediat e vendeve të rajonit.
21 Nentor 2009