Vrasja e Fatmir Xhindit, policia nis verifikimin e alibive të të dyshuarve
Janë shoqëruar gjashtë persona, por njëri prej tyre do të mbahet 48 orë i ndaluar. Në përgjim e vëzhgim disa persona në qytetin e Roskovecit dhe në Kurjan
Habjon Hasani
Tiranë - Një grusht personazhesh, banues në Roskovec dhe Kurjan, janë piketuar nga policia dhe nga shërbimet ligjzbatuese si personat më të mundshëm të implikuar në atentatin dhe ekzekutimin e deputetit Fatmir Xhindi. Dy ditët e fundit janë shoqëruar në mënyrë të rregullt disa persona, ndërsa të paktën njëri prej tyre është mbajtur për një kohë më të gjatë i ndaluar nga policia, teksa kjo e fundit ka nisur verifikimet mbi alibinë e personit për aktivitetin e tij mbrëmjen e 2 majit 2009. Grupi hetimor që po merret me hetimet për zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi është thuajse më i madh se grupi hetimor i Gërdecit. Shërbimi sekret vendas, SHISH, është përfshirë në grupin e hetuesve, në të cilin janë edhe prokurorë të Krimeve të Rënda, Departamenti i Ushtrimit dhe Ndjekjes Penale, Departamenti i Krimeve të Hapura, Departamenti i Krimit të Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe një armatë e tërë agjentësh civilë që prej tri ditësh ndodhen në fshatrat e Roskovecit. Burimet shtuan se ky është grupi më i madh hetimor i ngritur ndonjëherë për të zbardhur ngjarjet kriminale, madje më i madh se grupi hetimor që u mor me tragjedinë e Gërdecit. Në të janë përfshirë mëse 100 specialistë, duke përjashtuar shërbimin e përforcuar të policisë edhe në pikat kufitare.
Hetimet
Përkundër informacioneve mediatike që flasin për identifikimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë, zyrtarisht, por edhe jozyrtarisht, nuk ka asnjë identitet apo person të dyshuar për ekzekutimin e deputetit socialist. Zyrtarisht hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë të konsiderohen si tepër sekrete, pavarësisht se burimet shtojnë se për çdo informacion të raportuar ngrihen pistat e mundshme. Burimet shtojnë se po përpunohet çdo informacion që flet jo vetëm për orët e fundit të jetës së deputetit, por edhe kontaktet e të ndjerit të disa ditëve më parë apo viteve më parë. Për hetuesit kjo konsiderohet si një ngjarje e vështirë për t’u zbardhur, pavarësisht se që prej së shtunës po kalohet në sitë çdo e dhënë, që përcillet nga agjentët në terren, por edhe nga qytetarët e shumtë, të cilët, nëse do ta çojnë policinë në gjurmët e autorit, do të përfitojnë një shpërblim prej 250 mijë eurosh. Policia dhe ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë kthyer e rikthyer disa herë gjatë 24 orëve të fundit në qytezën e Roskovecit dhe në fshatin Kurjan, ku deputeti i vrarë ka qëndruar orët e fundit të jetës së tij.
Seancat
Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:00, mësohet se pjesëtarë të grupit hetimor kanë komunikuar me disa nga familjarët: bashkëshorten, vëllezërit dhe nipërit e deputetit të vrarë. Ata janë pyetur jo vetëm për rrethanat e vrasjes së Fatmirit, por edhe për ndonjë pistë të mundshme ku mund të përqendrohej hetimi. Rreth mesnatës të së dielës, duke aguar e hëna, dy automjete policore, ku ndodheshin kreu i Policisë së Shtetit, prokurorët e Krimeve të Rënda dhe drejtues të policisë lokale, kanë dalë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut ku po kryhen të gjitha konsultat e hetimit dhe kanë shkuar në Roskovec.
Pista
Pista e vetme ku është fokusuar grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka qenë konflikti personal i deputetit me persona të njohur të tij. Në këtë rast është marrë në konsideratë mënyra e ekzekutimit dhe largimi i autorit. Hetuesit dyshojnë se personat që mund të kenë qëlluar Xhindin kanë qenë të zonës, pasi i njihnin mjaft mirë lëvizjet e tij, orën kur kthehej në shtëpi dhe rrugët për t‘i shpëtuar policisë. Kjo, sipas hetuesve, mund të realizohej vetëm nga një person i zonës, pasi njerëz që nuk banojnë në atë zonë e kanë të vështirë të orientohen. Në periferi të qytezës së Roskovecit, në jug të tij, janë disa moçale, ndërsa në pjesën veriore janë disa kodra, që e bëjnë terrenin pak të thyer dhe pa rrugëdalje. E vetmja mundësi shpëtimi për autorët ka qenë rruga nacionale Fier-Berat. Por autorët mund të kenë shfrytëzuar edhe rrugën për në qytezën e Patosit, që të çon në Ballsh, dhe më pas në Gjirokastër e Kakavijë. Përpos itinerarit të mundshëm të autorit, hetuesit janë munduar të fokusojnë elemente të vlefshme për hetimin në vendngjarje. Është arritur të evidentohet se 49-vjeçari është qëlluar fillimisht nga një largësi dhe më pas autorët, për t‘u bindur se kanë përmbushur misionin, janë afruar dhe kanë qëlluar përsëri. Kjo për disa sekonda dhe më pas janë larguar.
6 Maj 2009